Tre lojtarë 18 vjeçarë të Akademisë Vllaznia luajtën disa minuta me ekipin e parë në miqësoren e para dy ditëve me Besën. Të tjerë janë në stërvitje prej kohësh, ndërkohë që dje i gjithë stafi me në krye Brdariç ka marrë pjesë në seleksionimet e lojtarëve të ekipit U19.

Kjo tregon qartë se në klubin Vllaznia kohët e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra për mirë dhe kjo vjen si rrjedhojë e bashkëpunimit të të gjithë hallkave, që në fakt në periudhat e mëparshme nuk ka ekzistuar ashtu si duhet.

Alban Neziri, drejtori teknik i Akademisë Vllaznia, e ka ngritur herëpashere zërin edhe në media për mosbashkëpunimin me ekipin e parë, por ndërkohë ai duket shumë i kënaqur me mënyrën si po shkojnë gjërat aktualisht.

Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai do të shprehej: “Ajo që dua të vlerësoj tek stafi aktual i ekipit të parë të Vllaznisë është se të gjithë janë të gatshëm për bashkëpunim. Këtë vit edhe klubi duket se do t’i japë përparësi elementit të ri dhe kjo shihet edhe tek prania e lojtarëve të rinj edhe në stërvitje e ndeshje me ekipin e parë.

Kam thënë dhe e them përsëri se te Akademia Vllaznia kemi elementë për të mbushur sadopak arkën e klubit. Duke i dhënë dorën atyre, padyshim që do të motivohen edhe më tepër dhe është diçka shumë pozitive.

Ndryshimet që po vërehen sivjet janë për t’u vlerësuar sepse ka disa vite që drejtuesit e klubit nuk kanë bashkëpunuar me njëri- tjetrin dhe si rrjedhojë e kanë pësuar lojtarët e rinj”./SHKODRA-SPORT.COM/