Fitorja e Vllaznisë kundër Skënderbeut në shifrat 2-0 mbrëmë në “Loro Boriçi” ishte e katërta në pesë ndeshjet e fundit për kuqeblutë. Një sukses që u arrit falë golave të Hoxhajt dhe Aralicas. Ky 3 pikësh konfirmon edhe për formën shumë të mirë që po kalon ekipi në këtë periudhë.

Skuadra e drejtuar nga Brdariç duket se ka lënë pas totalisht atë fillim të vështirë dhe që pak kush e priste. Tashmë shkodranët kanë hyrë në rrugën e duhur dhe në kuotën e 23 pikëve kanë barazuar Kukësin e ndërsa janë vetëm 4 pikë pas Tiranës dhe tashmë bardheblutë po ndiejnë nga pas edhe “frymëmarrjen” e Vllaznisë.

Presioni në ndeshjet që luhen sot edhe nesër kalon pikërisht në krahun e Kukësit dhe Tiranës. Kuksianët kanë një përballje të vështirë sot kundër Teutës në “Elbasan Arena”. Një ndalesë tjetër e verilindorëve patjetër që do komplikonte ecurinë e tyre duke parë edhe ritmin që ka Vllaznia.

Po ashtu edhe kryesuesit e Tiranës kanë një transfertë delikate nesër. Përballë tyre do jetë Laçi që në javët e fundit gëzon formë optimale dhe kurbinasit gjithmonë janë të vështirë për tu kaluar në fushën e tyre.

Patjetër që tashmë presioni është tek Kukësi dhe Tirana që tashmë duhet të llogarisin edhe Vllazninë që për momentin po ec me “marshin e pestë” në kampionat.
Endri ÇINARI