Vajzat e Vllaznisë në futboll u mundën mbrëmë me rezultatin 5-0 nga ana e PSG. Një humbje që pritej duke parë diferencat mes skuadrave në Champions League dhe kjo nuk e zbeh aspak arritjen historike të shkodraneve. Ku këto ndeshje europiane janë për tu shijuar dhe një eksperiencë futbollistike e pakrahasueshme.

Por në këtë takim mund të veçojmë edhe diçka tjetër, ata janë tifozët e Vllaznisë. Mbështetësit kuqeblu ishin në Paris mbrëmë për të qenë pranë ekipit shkodran dhe për t’iu dhuruar një mikëpritje të ngrohtë. Kishte nga ata tifozë që kishin udhëtuar madje edhe nga Shkodra apo edhe nga Anglia për të shikuar këtë ndeshje në shkallët e stadiumit francez.

Ndoshta jo në përmasat e mbështetjes që vajzat patën në Londër kundër Chelseas, por shkodranët treguan edhe njëherë që janë një popull i dashuruar me sportin dhe ngjyrat kuqeblu.

Patjetër që edhe arritjet e vajzave në Europë të bëjnë për vete dhe tifozllëku ndaj tyre duhet të jetë në maksimum, cilido qoftë rezultati përfundimtar i sfidave në Champions League.

Tifozët shkodranë ngelin unik në llojin e tyre. Ku shpesh kemi dëgjuar histori para viteve 90 që udhëtonin me biçikletë për ta ndjekur Vllazninë në qytete si: Tiranë, Kavajë apo Durrës. Edhe sot tradita nuk humbet dhe kudo ku ka Vllazni, do ketë edhe shkodranë për të mbështetur ekipin dhe ngjyrat që duan aq shumë.
Endri ÇINARI