Tek Vllaznia e femrave përveç ndryshimeve në përbërjen e lojtareve ka pasur ndryshime edhe në staf. Kështu trajneri i ri i ekipit do jetë Haris Lika. Ndërsa Nikolin Leka që më parë mbante këtë post, ka kaluar në rolin e drejtorit teknik. Në prononcimin e tij përpara mediave ai u shpreh i gatshëm për detyrën e re. Dhe pavarësisht kësaj ai nuk qëndron aspak larg stafit që tashmë do ketë si drejtues Haris Liken.

Leka tha: “Pas 8 vitesh shumë të suksesshme ku kam arritur të fitoj gjithçka me vajzat e Vllaznisë e po ashtu arritjes historike të sezonit të shkuar ku morëm pjesë në grupet e Champions League, tashmë do mbaj një pozicion të ri. Do jem rolin e drejtorit teknik që jam i gatshëm ta zbatoj me të njëjtin seriozitet dhe përkushtim si atë të trajnerit më përpara.

Ky rol i ri nuk më largon aspak nga ekipi dhe vajzat, por përkundrazi sepse bashkëpunimi me trajnerin Lika do jetë i ngushtë dhe i frytshëm. Në këtë klub të gjithë punojnë për më të mirën e për të pasur suksese sa më të shumta në të ardhmen. Prandaj është e rëndësishme që secili të japë më të mirën.

Për mua personalisht do ketë një fokus më të veçantë tek moshat dhe zhvillimi i vajzave aty. Duke qenë se Vllaznia ka ekipe zinxhir shumë cilësore, për ne lind detyra që të rrisim këto vajza dhe ti afrimojë në ekipin e parë. Kjo për të krijuar një vazhdimësi dhe një bazë të fortë për të ardhmen e skuadrës”.
Endri ÇINARI