Kastrioti është një nga skuadrat më të mira të Kategorisë së Parë këtë sezon dhe krutanët janë vetëm një këmbë larg rikthimit në Kategorinë Superiore. Skuadra krutane mban vendin e parë të grupit A dhe është plot nëntë pikë nga kundërshtari më i afërt, që është Besëlidhja.

Skuadra e Ramadan Ndreut është gati për të kaluar në elitën e futbollit shqiptar, teksa edhe drejtuesit kanë nisur nga puna për t’i krijuar kushtet e duhura skuadrës dhe për të përmbushur kërkesat e FSHF mbi terrenet sportive.

Ditën e sotme kanë nisur punimet për rregullimin e stadiumit “Redi Maloku”. Puna fillimisht ka startuar me shembjen e tribunave, që kanë dalë jashtë funksionit dhe do të vijojë më pas me rregullimin e të gjitha ambienteve të stadiumit.

Kjo ndërhyrje konsiston me vendosjen e stolave në shkallët e stadiumit, rregullimin e fushës dhe ambienteve të brendshme të klubit. Duke nisur nga dita e sotme puna do të vijojë rregullisht dhe pretendohet se stadiumi do të jetë gati me fillimin e sezonit të ri të Kategorisë Superiore në javët e fundit të gushtit. /vipsport/