Kukësi do vizitojë sot Shkodrën për ndeshjen e javës së 15-të. Kuksianët që po kalojnë një formë të mirë në këto momente pas fitores së fundit në shifrat 2-1 kundër Partizanit, mbyllin vitin kundër Vllaznisë. Në vendin e dytë me 27 pikë, verilindorët do përpiqen që të krijojnë sa më shumë presion tek Tirana e vendit të parë me 30 pikë.

Trajneri Longo për sfidën kundër kuqebluve duket se ka projektuar tashmë edhe formacionin titullar. Në portë pritet të jetë i përhershmi Tafas. Në qendër të mbrojtjes, Lulaj dhe Marku duken të favorizuar për të qenë titullar.

Balotazh në krahun e djathtë ku paraqitja e mirë e Dragoshit kundër Partizanit vë në dyshim Bytyçin e në të majtë do rreshtohesh Ndreca.

Mesfusha do ketë një mungesë të rëndësishme si Ardit Hila, i penalizuar për shkak kartonësh. Vendin e tij pritet ta zërë i rikthyeri, Shqiprim Taipi. Gjithashtu krah tij në mesfushë pritet të jetë edhe i vëllai i tij dhe kapiteni i ekipit, Gjelbrim Taipi. Po ashtu në 11-tshen titullare do jetë edhe spanjolli De Lucas.

Sulmi me tredhëmbëshin Baša-Milunoviç-Feijao do jenë ata që do kërcënojnë mbrojtjen shkodrane. Kështu pritet të rreshtojë tekniku italian skuadrën e tij në ndeshjen e fundit për këtë vit.