Atletik Club është një nga akademitë që prej vitesh po korr suksese në qytetin e Shkodrës. Një prej akademive më simpatike, me stafe profesionistësh trajnerësh, por edhe me futbollistë që premtojnë për të ardhmen. E jo më kot edhe elementë që shkëlqejnë sot tek ekipet e moshave të Vllaznisë, janë formuar tek kjo akademi.

Një lojtar që së fundmi duket se garanton për të ardhmen është Uesli Taflaj. Djaloshi i përket ditëlindjes së vitit 2008, më saktë me 14.01.2008. Pra ende vetëm 14-vjeçar dhe aktivizohet me skuadrën u-15 të Atletik Club. Taflaj luan në rolin e mesfushorit të qendrës dhe është një nga futbollistët bazë të formacionit.

Ai spikat shumë në lojën me top, ku me teknikën e tij bën diferencën, por gjithashtu edhe një lojtar që vlerësohet për frymën e grupit. Tek akademia e Atletik duket se e vlerësojnë shumë mesfushorin, i cili pavarësisht moshës ende shumë të re është përfshirë shpesh edhe në ekipin e 17-vjeçarëve.

Patjetër që rruga për të arritur tek suksesi është ende e gjatë, për Taflajn dhe çdo bashkëmoshatar të tijin. Por duket se e ardhmja është premtuese dhe po ashtu duket puna e mirë që bëhet tek kjo akademi e futbollit në Shkodër. Ku çdo vit dhe çdo sezon të ri dalin elementë që mund të spikasin në të ardhmen e që mund të bëjnë emër në futbollin shqiptar.
Endri ÇINARI