Ecuria e Veleçikut gjatë këtij sezoni ka qenë shumë e mirë.

Me ndonjë gabim të vogël të vetin apo dhe me ndonjë ndëshkim të arbitrave, kjo skuadër ndodhet për momentin në vendin e dytë në grupin A të kategorisë së parë dhe ende me shpresat për të kapur të parin.

Vend ky që do ta çonte atë në kategorinë e parë. Megjithatë arritja e këtij objektivi është ende në lojë.

Në këtë ecuri të mirë të koplikasve padyshim që ka meritën e tij edhe njëri prej pikave më të forta të tyre, sulmuesi Denis Çokaj.

27 vjeçari me përvojën e tij disavjeçare me këtë skuadër, ka arritur të shndërrohet në liderin e Veleçikut duke qenë njeriu-gol për të.

Ka qenë në fushë në 16 ndeshje gjatë këtij sezoni dhe ka arritur të shënojë 10 gola. Por jo vetëm kaq.

Ai ka shërbyer jo pak për shokët e ekipit, ka marrë 11-metërsha, ka marrë goditje dënimi që janë shndërruar më pas në gola për ekipin e tij.

Me Çokajn në sulm, ekipi padyshim që ndjehet mirë. Ai është shndërruar në një pikë referimi për të.

Mjafton që topi të shkojë në këmbët e tij sepse diçka do të ndodhë. Denis është edhe idhulli i tifozërisë së Koplikut dhe gjithë Malësisë së Madhe.

Një futbollist që ndoshta meriton të luajë edhe në kategori më të larta. Mund ta bëjë këtë me Veleçikun që sezonin e ardhshëm por nëse jo, atëherë patjetër që duhet të mendojë për një ekip tjetër.

Në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” Denis Çokaj do të shprehej:

“Objektivi im është të ndihmoj sa më shumë ekipin për të arritur objektivin që ka, ngjitjen në kategorinë e parë.

Jemi ende brenda objektivave dhe në këto ndeshje që kanë mbetur deri në fund të kampionatit, do të bëjmë maksimumin për t’ia dalë.

Kuptohet, detyra ime është të shënoj dhe ta ndihmoj skuadrën dhe besoj se do ta bëj ashtu si duhet këtë gjë, siç kam bërë edhe deri më tani”.
© shkodrasport.com