Numri i shkodranëve që luajnë dhe që “zbulohen” dita- ditës shtohet gjithnjë e më shumë. I rradhës është një futbollist 17 vjeçar që po luan me sukses në futbollin italian të moshave. Bëhet fjalë për Omar Hoxhën.

Ai ka lindur në Itali në fakt, më 5 qershor të vitit 2001 por prindërit e tij janë nga Shkodra, nga lagjja e vjetër Tophanë dhe kuptohet, ka emigruar prej vitesh në shtetin fqinj.

Omari ka nisur herët të merret me futboll, që në moshën 6 vjeçare pikërisht me ekipin e qytetit ku jetonte, në Prato. Aty ka luajtur deri vitin e kaluar kur vendosi të hidhte një hap të rëndësishëm në karrierë, atë të kalimit tek Cremonese.

Një veprim i guximshëm sepse kalimi tek kjo Akademi do të thotë se ai tashmë është larg familjes. Jeton në një konvikt që i ka ofruar klubi dhe padyshim që kjo sakrificë e bërë prej tij, një ditë do të shpërblehet.

Omar Hoxha luan në rolin e mbrojtësit të qendrës. Të dhënat e tij duken të mira dhe kjo ka bërë që edhe trajnerët me të cilët stërvitet, ta vlerësojnë.

Ndërkohë, në tre raste ai ka marrë pjesë në grumbullimet që Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë me futbollistët që jetojnë në Itali dhe padyshim që ëndrra e tij ëshhtë që një ditë të veshë fanellën e kombëtares.

“Natyrisht që po mundohem të jap më të mirën time për futbollin. Stërvitem fort për të arritur ato ëndrra që unë kam dhe padiskutim që besoj se do ia dal”- thotë Hoxha në prononcimin e tij të parë dhënë për “Shkodra Sport”.

Paraqitjet e mira të tij me ekipin e Cremoneses mund të jenë një nxitje për afrimin me kombëtaren U-19 të Shqipërisë. Të paktën për t’i dhënë mundësinë për të treguar vlerat e tij sepse nëse kjo ndodh, Omari është i bindur se do t’ia dalë të bëjë për vete trajnerët e këtij ekipi.
Gjergj KOLA