Nga Xhevdet Zekaj

Java e 20-të e Superiores pati pak surpriza, në aspektin e rezultateve. Kryesuesit fituan, me përjashtim të Vllaznisë, e cila e ka humbur ritmin. Këtë e tregon qartë fakti se në pesë ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një fitore, javën e shkuar ndaj Apolonisë. Sot në Korçë, skuadra kryesuese tregoi dy fytyra.

Në pjesën e parë tmerroi edhe trajnerin e vet, Brdaric, që tha se nuk kuptoi gjë në paraqitjen e të tijve, ndërsa i hapi oreksin Memellit, që pretendoi se mund të kishin shënuar 3 gola!!! Fatmirësisht, në pjesën e dytë, Vllaznia reagoi, doli në lojën e saj të rrjedhsme, me shumë pasime e qarkullim topi, por nuk shkoi më larg se një gol.

Pra, vetëm barazim, që vlen pak në kushtet kur ndjekësit më të afërt fituan. Mjafton të thuash se po luante vendi i parë me vendin e fundit për të kuptuar se pika e shkodranëve është pak në këtë moment të kampionatit. Nga 9 pikë, sa ishin shkëputur në krye, kuqeblutë e kanë tashmë Partizanin thuajse një ndeshje larg: vetëm 4 pikë.

E meqë jemi të të kuqtë, kjo javë foli për ta. Skuadra e Ilir Dajës jo vetëm shfrytëzoi asistin e Skënderbeut, që ndali Vllazninë, por i dha goditjen fatale Kukësit, duke e nxjerrë përfundimisht nga gara për titull. Tri pikë të tjera tepër të çmuara, në vazhdën e ecurisë pozitive të disa javëve, dëshmojnë potencialin real të “demave”.

Ato kanë gjetur ekuilibrin mes reparteve dhe një golashënues si Çinari, vendimtar në sfida delikate. Merkatoja e dimrit ka konsoliduar grupin në dispozicion të Dajës, edhe pse “qershia mbi tortë”, Ferhan Hasani, nuk po duket. Me të në formacion, me siguri Partizani do të bëhet më i frikshëm. Për momentin është Asani, ai që po bën liderin e të kuqve.

Laçi dhe Teuta ecën dje me të njëjtin hap. Vetëm se durrsakët likujduan një kundërshtar më të fortë, si Tirana, kampione në fuqi. Pavarësisht ndryshimit të trajnerëve, ky kampionat duket i destinuar të rezultojë dështim për bardheblutë. Disfata e së shtunës ndaj “djemve të detit” e nxori kurorën e tyre në ankand, sepse kampionët nuk kanë asnjë shans për t’u rikonfirmuar si të tillë.

Madje, po të shohim renditjen, ata pritet të mbeten edhe jashtë Kupave të Europës. Të eliminuar shumë herët dhe nga Kupa e Shqipërisë, bardheblutë po çojnë dëm një sezon të tërë, të investuar fuqishëm nga presidenti Halili. Prishja e ekipit kampion, sikurse bëri Partizani në kohën e Gegës, është një gabim që kushton shtrenjtë.

Tirana po e provon këtë gjë në kurriz. Lajmi i vetëm i mire për 25 herë kampionët e vendit është shitja e talentit Muçi për 500 mijë euro. Ky po, mund të konsiderohet “titulli” i Tiranës, sepse kjo shumë është oksigjeni i duhur për financat e dërrmuara të klubeve shqiptare nga pandemia.

Laçi është bërë më virtuoz se kurrë me Mazrekajn në përbërje. Pesë fitore radhazi tregojnë qartë potencialin e kurbinasve, që këtë sezon duken më pranë përmbushjes së ambicies së çmendur të presidentit Pashk Laska, fitimit të titullit kampion. Përplasja direkte me Partizanin, ndeshjen e ardhshme, do të qartësojë më shumë se cila nga këto dy skuadra ka “valenca” titulli.

Sa i takon fundit të renditjes, vetë klasifikimi i 20 javëve kampionat e tregon se gara e mbijetesës do të diskutohet midis tri skuadrave. Mes Skënderbeut, Apolonisë dhe Bylisit vetëm njëra do të qëndrojë në Superiore. Edhe pse matematikisht, duke e ulur ritmin kaq shumë, siç ka bërë Kastrioti në dy javët e fundit, edhe krutanët nuk janë të përjashtuar nga kjo “valle” e rrezikshme.

Në fund dy fjalë për sjelljen aspak dinjitoze te Tiranës, që nuk nderoi me një minutë heshtje ish-presudentin e vet, Metush Seferi, i cili humbi jetën në betejë me koronavirusin. E pafalshme harresa, aq më keq injorimi i kësaj figure, sepse Tirana vërtet është privatizuar nga Refik Halili, por historia e saj është shumë më tepër se presidenca aktuale.