Sulmi ndaj Armando Broja dhe trajnerit Silvinjo ditën e sotme në konferencën për shtyp është një turp i madh në radhë të parë dhe në radhë të dytë një amatorizëm alla shqiptar. Në fakt kjo fushatë sulmi e Tiranës së ndotur ka muaj që vijon në mënyrë të pandërprerë ndaj Armando Brojës, thua se ylli i kombëtares shqiptare të jetë një armik i përbetuar i kombit dhe jo një shqiponjë që do tentojë bashkë me gjithë të tjerët të bëjnë më të mirën në Gjermani.

Në rast se do të ishte përshembull Uzuni dhe jo Broja, kurrë nuk do ta kisha atë lloj urrejtje që u shfaq sot ndaj Brojës, përkundrazi do të pranohej me shumë respekt sepse fundja është një zgjedhje e trajnerit dhe shyqyr që kemi një trajner ku kreu i FSHF nuk i ndërhyn aq shumë sa dikur edhe pse ndikimi i tij është i pashmangshëm 100%.

Broja me aq herë sa ka luajtur dhe aq minuta sa i janë dhënë ka treguar se e meriton europianin po aq sa e meriton edhe Uzuni patjetër edhe pse në disa ndeshje ndryshe nga Spanja, me kombëtaren nuk është treguar aq i saktë. Hamdi Salihi u la jashtë europianit në 2016 bashkë me Gjimshitin edhe pse e meritonin por kjo Tirana e njëjtë e ndotur nuk pati këtë reagim e mllef që shfaqi sot. Po ashtu u la jashtë porteri më i mirë i kampionatit Alen Sherri i cili edhe mbrëmë ashtu si gjatë gjithë sezonit tregoi se e meritoi një vend në kombëtare të paktën në këtë fazë kur ende nuk është vulosur lista.

Edhe për Sherrin përveç një zëri që e përmendi, pjesa tjetër as që e vendosën në listë duke patur vetëm hallin e Uzunit dhe Cikalleshit të cilët edhe mund të ishin në atë listë por Silvinjo e mendoi në këtë mënyrë. Këto lobe të pista, sulme të ndyra dhe kjo Tirana e ndotur duhet të marrë fund njëherë e mirë.

Mbase Shqipëria mund t’i humb të tri ndeshjet, mbase Broja mund të mos shënojë asnjë gol por kjo nuk do të thotë që të sulmohet në këtë lloj mënyre kaq të pistë që vazhdon prej më shumë se një viti. Unë besoj se Broja, Silvinjo e gjithë kombëtarja dhe gjithë tifozët kuqezi do të na bëjnë krenar dhe kjo lojë e pisët do t’ju bie fytyrës.