Aventura e dytë e Masimiliano Alegrit te Juventusi ka nisur në malore, por me trajnerin livornez, i cili po e shfrytëzon në maksimum këtë pauzë për të menduar se si të korrigjojë skuadrën, e cila luajti shumë shëmtuar në dy daljet fillestare në Serinë A, me përjashtim të 45 minutave të parë në Udine.

Largimi i Kristiano Ronaldos nxori në pah atë që të gjithë i trembeshin më shumë, mungesën e forcës goditëse në sulm, e cila u konfirmua frikshëm ndaj Empolit. Por në të njëjtën kohë, edhe pjesa tjetër e skuadrës, me disa eksperimente të provuara nga vetë Alegri u duk jashtë roli, duke ndikuar edhe në pakujdesi të mëdha në fazën mbrojtëse.

Prandaj, cila mund të jetë zgjidhja për të afruar dhe për të lidhur më shumë repartet me njëritjetrin? Përgjigja, ndoshta më e mirë është rikthimi i modulit 3-5- 2, i cili mund të ndihmohet mbi të gjitha nga dyshja e veteranëve Kielini-Bonuçi, por edhe De Ligt, i cili do të formonte repartin me tre të prapavijës, nuk do ta kishte problem zbatimin e kësaj skeme, duke qenë se me atë ka luajtur shpesh te Holanda në dy vitet e fundit.

Me këtë modul, nëse prapavija duket e blinduar dhe garanton shumë siguri të paktën në letër, kjo zgjidhje ndihmon edhe repartin e mesfushës sepse lejon hedhjen në fushë të më shumë lojtarëve, por mbi të gjitha mund të shfrytëzojë më mirë si Kuadradon në korsinë e djathtë, ashtu sikurse Bernardeskin (ose Kulusevskin) në të majtë, i cili pas Europianit duket i rilindur.

Jo më kot, ka qenë pikërisht trajneri Alegri ai që i ka eksperimentuar i pari dy sulmues anësor si Kuadrado ashtu sikurse Bernardeskin në mbrojtës krahu të një reparti me katër, por duke i spostuar disi më përpara ata do të mund të ndihmojnë jo vetëm në fazën sulmuese, për një superioritet numerik më të lartë, por edhe për tëbërë më tepër presing kur ta ketë topin kundërshtari.

Në të njëjtën kohë, moduli 3-5-2 i hap vend në mesfushë njëkohësisht si Rabiosë e Lokatelit nga minuta e parë, ndërsa në mes, përpara mbrojtjes mund të alternohen Bentankur, Artur apo edhe Ramsej kur të rikthehen nga dëmtimet.

Në sulm, dyshja duket e palëvizshme: Kieza-Dibala, ndonëse këtyre mund t’i bashkëngjiten herë pas here si Morata, ashtu edhe Kaio Zhorzh.

Fundja, 3-5-2 mund të transformohet lehtësisht gjatë ndeshjes edhe në një 3-4-1-2 me Dibalën që mund të spostohej prapa si fantazist duke i hapur vend dyshes Kieza-Morata.

Shkurt, ideja e re e 3-5-2 duket se ofron më shumë alternativa se 4-3-3, i cili duket se për momentin është mirë që të lihet në sirtarin e Alegrit, duke qenë se edhe forma e lojtarëve nuk është ende ajo maksimalja, pasi jo të gjithë kanë kryer të njëjtën fazë përgatitore.