Futbolli është vërtet i çuditshëm. Nuk ish in të largëta orët kur mes bardhezinjve situata zinte. E gjitha kjo pas humbjes ndaj Napolit.

Por ka mjaftuar një fitore në Ligën e Kampioneve kundër Malmos që humori në kampin bardhezi të ndryshojë tërësisht. Pas ndeshjes në Suedi të fituar 0-3 dukej se lojtarët e Juventusit bënin një paradë para kamerave për të vënë theksin te fakti se suksesi ndaj Malmos mund të ketë kthyer përfundimisht sezonin e tyre.

Një nga protagonistët e mbrëmjes ka qenë dhe sulmuesi Alvaro Morata, autor i një prej golave të fitores së italianëve.

FITORJA SI SHTYSË – “Çdo fitore është mjaft e vlefshme, pasi të shtyn të fitosh më shumë. Ka shumë gjëra pozitive për t’u vlerësuar nga fitorja në Suedi, mbi të gjitha serioziteti që kemi treguar në lojë. Kemi zhvilluar një ndeshje mjaft të bukur, ishte shumë e rëndësishme ta nisnim rrugëtimin në Champions me një fitore.

Duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë, sepse në fund të ditës jemi Juventusi. Duhet të ndryshojmë dhe t’u tregojmë skuadrave të tjera që kur në mes janë pikët, Juventusi është aty dhe i vështirë për t’u mundur. Po punojmë fort, por duhet të punojmë edhe më shumë sepse kufiri që ndan fitoren nga humbja është shumë i hollë”.

MILANI – Malmoja mund të quhet një kapitull i mbyllur për Juventusin. Tashmë të gjitha shigjetat janë drejtuar për nga Milani. “Djalli” bën vizitë në Torino dhe me situatën e pikëve në kampionat Juventusi nuk e ka më luksin të lërë të tjera pikë të rëndësishme.

Të gjithë janë të bindur për këtë. “Milani është një skuadër e madhe dhe duhet ta përballojmë këtë sfidë me vetëdijen e plotë se do të jetë e vështirë. Ata kanë mjaft lojtarë të zotët, të fortë dhe jam i bindur se ata që do të jenë në stadium do të shijojnë një ndeshje të bukur”, ka thënë sulmuesi i Juventusit, Alvaro Morata.

MORATA SI POSTRONALDO – Sulmuesi spanjoll ka folur edhe për rolin e tij te Juventusi, post-Ronaldo. Largimi i Kristianos u ka dhënë mundësi të tjerëve të dalin në pah dhe të tregojnë se janë të vlefshëm për këtë fanellë. Në lidhje me rolin e tij pas largimit të Ronaldos, sulmuesi spanjoll ka thënë:

“Të gjithë jemi të përgjegjshëm, jo sepse Kristiano Ronaldo është larguar apo se të tjerë kanë ardhur. Ajo që të ngarkon me përgjegjësi këtu është vetë fanella e Juventusit. Kush e vesh këtë fanellë, e di se çfarë e pret, çfarë i kërkohet dhe çfarë duhet të bëjë. Jemi në rrugën e duhur dhe sapo të dalim nga kjo periudhë e ndërlikuar, jam i bindur se gjithçka do të jetë më e thjeshtë. Duke fituar, kthehet optimizmi dhe kjo na ndihmon të ecim përpara”.