Humbja e Vllaznisë dje ndaj Kastriotit brenda në “Loro Boriçi” ka djegur jo pak në Shkodër. Ka ardhur pikërisht në momentin kur të gjithë menduan se kjo skuadër do të bëjë kthesën, megjithatë për më tepër, pësoi dy gola me një përmbysje rezultati.

Mungesa e kondicionit të duhur fizik, ndoshta ndër më të rëndësishmet në futboll, ka krijuar jo pak anomali në ndeshjen ndaj Kastriotit dhe kjo tregon edhe njëherë se skuadra ka nevojë për përgatitje fizike edhe më të madhe ndeshjet tjera.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe një emër i njohur i futbollit shkodran, trajneri Arben Parmeza, që duke komentuar ndeshjen e djeshme në emisionin “Sport Arena” të TV Rozafa, ka thënë këtë mendim, teksa u shpreh se është një zhgënjim i madh për Vllazninë një humbje e tillë ndaj Kastriotit.

“Zhgënjim i madh për Vllazninë ndaj një ekipit me të vërtetë dinjitoz si Kastrioti, me ato pretendimet e veta, por ma merr mendja që është një zhgënjim i madh nga të gjithë. Nuk e prisnim këtë rezultat.

Këtë ndeshje ndaj Kastriotit, u evidentua edhe nga trajneri Plori, lodhja e futbollistëve. Një nga arsyet e humbjes ishte edhe kjo.

Me sa duket, dy ndeshje brenda jave kanë nxjerrë probleme. Në fakt, është lodhje e komplet grupit dhe mendoj që duhet një analizë më e thellë për të arritur një konkluzion të saktë, por është evidente që ekipi nuk po përgjigjet mirë fizikisht.

Për të qenë më të qartë, Kastrioti e ka zënë shumë keq Vllazninë në fazën mbrojtëse dhe ka pasur shumë hapësira. Vetëm këtë moment, po ta shikoni gjatë ndeshjes tregon problemet e mëdha që ka Vllaznia në kondicionin fizik”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri Arben Parmeza.
Maringlen ZHIVANI