Tirana është në merkato për një tjetër goditje të madhe. Bëhet me dije këtë fundjavë se bardheblutë kishin shprehur interes për shërbimet e Kristal Abazajt, nisur edhe nga situata jo e mirë që ky i fundit po kalon në Ligën e Parë turke. Sidoqoftë, gazeta ka mësuar se klubi turk kërkon jo pak, por deri në 400 mijë euro për kartonin e mesfushorit.

Lidhur me një afrim të mundshëm të anësorit, pas miqësores të së dielës ndaj Maliqit, foli edhe trajneri Shehi që e la të hapur mundësinë e një goditjeje të tillë duke u shprehur edhe me superlativa për futbollistin.

Mësohet se Abazaj mund të vijë në Shqipëri, si opsion të fundit për karrierën e tij, por për shërbimet e tij tashmë në garë është edhe Partizani.

PËRGJIGJJA

Gazeta është vënë në kontakte me mesfushorin e Istanbulsporit, për të mësuar më shumë rreth së ardhmes së tij. “Unë kam edhe dy vite kontratë me skuadrën e Istanbulsporit dhe për momentin, kam në plan fokusimin te skuadra dhe të mund të bëj sa më mirë me të.

Sapo kemi përfunduar fazën përgatitore dhe jam i fokusuar tek Istanbulspori”, shprehet fillimisht futbollisti, i cili duke qenë nën kontratë, ruan edhe etikën dhe frazat diplomatike.

Mirëpo, i pyetur në rast se gjërat nuk do të shkojnë si duhet me skuadrën turke, çfarë do të bëjë me të ardhmen dhe interesimet nga Shqipëria, Abazaj përgjigjet.

“Pavarësisht faktit që jam një tifoz i Tiranës, familja ime është mbështetëse e këtij ekipi dhe dëshirës për të punuar sërish me presor Gesin (Orges Shehi), për momentin më duket e vështirë prej kërkesës që ka klubi në lidhje me kartonin tim. Në një të ardhme, pse jo, e shoh veten vetëm te Tirana”, deklaron Abazaj.