Partizani në pjesën më të madhe të kohës ka përdorur thuajse të njëjtët lojtarë në ndeshje dhe ngjeshja e përballjeve për shkak edhe të angazhimit në Kupë ka lënë pasoja te lojtarët, që ndeshje pas ndeshjeje po lënë fushën të detyruar prej problemeve fizike dhe po e “stresojnë” jo pak stafin teknik dhe fizik.

Albion Marku e la fushën i dëmtuar ndaj Skënderbeut dhe në dy ditët e shkuara nuk është stërvitur normalisht me ekipin. Gjithsesi, pas kontrollit nga mjekët, është konstatuar se mbrojtësi nuk ka një problem serioz, por gjithçka është shkaktuar nga ngarkesa e madhe fizike që mbrojtësi ka pësuar në javët e fundit.

21-vjeçari është një nga më të mirët dhe Partizani humbet shumë pa të në fushë. Kjo e ka shtyrë trajnerin Mehmeti ta aktivizojë në çdo ndeshje, madje si titullar.

Lajmi i mirë për të është se sot ai do të stërvitet normalisht me ekipin dhe pritet të jetë i gatshëm ndaj Vllaznisë, në një tjetër sfidë vendimtare për fatet e sezonit, ku gjithçka diskutohet sërish me shkodranët.

PËRGATITJET

Ditën e djeshme, Mehmeti dhe stafi teknik kanë vendosur t’i lënë pushim lojtarët, teksa sot do të nisin përgatitjet për Vllazninë, ndeshje që do të luhet ditën e shtunë në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Koha në dispozicion është e mjaftueshme për Mehmetin për të instaluar idetë e tij në fushë, teksa seanca e sotme nuk pritet të jetë e tëra me karakter teknik.

Misioni i parë i Mehmetit është të ngrejë moralin e lojtarëve pas atij barazimi zhgënjyes me Skënderbeun e vendit të fundit.