Situata tek Dinamo padyshim qe nuk eshte aspak e mire dhe ajo eshte nje kandidate serioze per t’u rikthyer serish andej nga ka ardhur. Kjo gje padyshim qe ka shqetesuar disa nga emrat e njohur te historise se saj.

Gjate dites se sotme ka qene ish- trajneri kampion i bluve Faruk Sejdini qe ka folur me kritika per menyren si eshte vepruar me ket ekip sivjet. Te njejten gje ka bere edhe ish- kapiteni Redi Jupi qe eshte shprehur:

“Më vjen shumë keq ta them por Dinamo është e rënë nga kategoria, shanset për mbijetesë janë zero. Mendoj se Dinamo e nisi rënien e saj që në janar por Dinamo u ndërtua keq që në fillim. Drejtuesit thonin se do ndërtonin një Dinamo për trofe por Dinamo nuk ka nevojë për trofe pasi i ka aty.

Dinamo ka 18 Kampionate. Drejtuesit këtë sezon duhet të punonin për ta rikthyer Dinamon në identitet për të ndezur pasionin për këtë ekip tek tifozët pas 10 vitesh mungesë dhe dështuan ta bëjnë këtë gjë. Ne dolëm kampion në vitin 2002 dhe nuk e përmendëm kurrë fjalën titull deri sa e fituam atë edhe pse ishim skuadra më e fortë.

Ndërsa në fillim të sezonit tek Dinamo flitej për objektiva madhorë ndërkohë që fizionomia e Dinamos ka qenë gjithmonë të vinte nga poshtë dhe pa zhurmë. Ne kurrë nuk na kanë sharë tifozët për rezultatet por vetëm për stilin e lojës sepse Dinamo është parcelë rendimentesh të larta.

Është klubi që ka nxjerrë më tepër futbollistë në Shqipëri dhe kjo sepse nga viti i krijimit deri në vitin 2010 ka qenë një klub model me struktura dhe burime njerëzore në nivel të lartë. Tek Dinamo thuhet se janë hedhur para por paratë nuk sjellin sukses janë vetëm një nga shumë komponentët e nevojshëm për të ndërtuar një skuadër. Këtë sezon ne nuk kemi parë një Dinamo dinjitoze në fushë”.