Shorti i Conference League shikoi që Vllaznia në raundin e parë kualifikues do ketë përballë skuadrën rumune të Univ. Craiova. Një ekip që ka pasur edhe më përpara përballje me shqiptarët. Ku në të shkuarën është eleminuar nga skuadra e Laçit.

Tashmë përballë do jetë Vllaznia dhe për shkodranët kjo do jetë hera e parë në histori që do ndeshen me një skuadër rumune në kompeticionet europiane. Por në të shkuarën fanellën e skuadrës kuqeblu e kanë mbajtur veshur dy futbollistë nga Rumania.

Më i freskti në kohë dhe që mund të kujtohet më mirë është Dani Ignat. Qendërmbrojtësi shtatlartë mbajti veshur fanellën kuqeblu në sezonin 2018-19. Sezon ku shkodranët militonin në Kategorinë e Parë.

Një tjetër lojtar që ka qenë pjesë e Vllaznisë në të shkuarën është edhe Christian Dragoi. Sulmuesi i krahut që u bë i njohur në futbollin shqiptar nga aktivizimi i tij me Kastriotin, u afrua tek shkodranët në edicionin 2012-13. Qëndroi vetëm 1 vit në Shkodër më pas për tu larguar në drejtim të skuadrës së Kukësit.

Informacionet në ditët e sotme janë shumta për çdo kundërshtar që mund të paraqitet. Dhe tek Vllaznia e dinë mirë që përballë do kenë një skuadër shumë të fortë për të kaluar. Por pavarësisht diferencave që kanë ekipet, në futboll është treguar shpesh se favoritët jo gjithmonë triumfojnë.
Endri ÇINARI