Sokol Branica sot e ka një ditë të paharruar. Një shembull si lojtar brenda dhe jashtë fushe, Branica e ka përjetuar mjaft keq lajmin e përjashtimit të Shkumbinit, e madje nuk u ka besuar syve që skuadra nuk do të marrë pjesë më në garën e Kategorisë së Parë.

Sipas Branicës ky është një dënim shume i ekzagjeruar sepse gjyqtari erdhi me synime të qarta duke provokuar, por me këtë dënim favorizohet Dinamo. Në një intervistë enkas për “VipSport.al”, trajneri Sokol Branica flet pas dënimit ekstrem…

-Branica si e pritet vendimin?
Ka qenë bombë, çfarë dhune barbare ju bë gjyqtarit? Ka pamje, janë dhënë disa herë. Jam shokuar, kam luajtur futboll por si këta gjyqtarë që provokojnë e prishin futbollin nuk më kanë zënë sytë…

-Pse e thoni këtë?
Sepse e thashë edhe pak ditë më parë, si nuk ju bën pak përshtypje kur në Burrel tërhoqa ekipin ashtu si dhe në Pukë e Peshkopi? Për çfarë duhet që ai gjyqtar të arbitronte ndeshjen në mënyrë të atillë?! Si ka mundësi edhe kur i është kërkuar llogari nga lojtarët vazhdonte të realizonte misionin e tij… kjo nuk është normale.

– Sipas jush, si njeri me një jetë në sport, nuk keni faj si klub në mosmarrje të masave?
Të kuptohemi qartë, ne e dënojmë aktin, por ama u pa qartë se në fushë hyn një fëmijë 16-vjeçar dhe nuk e godet asnjë zyrtar i klubit tonë. Madje duket qartë që e mbrojmë te gjithë. Pse këto dënime kolektive? Pse në komunizëm jemi neve? Çfarë janë këto dënime dhe pse dënohen qytete si për një 16-vjeçar ashtu edhe për një gjyqtar që nuk e ushtron profesionin siç duhet?

– Po qyteti si e priti vendimin?
Në qytet ka pllakosur heshtja sepse vetëm futbollin kanë, gjynah, në vend që të ketë sa më shumë aktivitete vetëm këtu ndodh që me dënime kolektive si në komunizëm dënohet qyteti dhe ata njerëz që janë rritur e mësuar një jetë me futboll. Kështu e pësuam edhe neve dhe është skandaloze për mua një vendimmarrje e tillë që duhej gjykuar me shumë qetësi, me fakte e prova konkrete për të dalë në konkluzione. Por mendoj se janë dënime me prapavijë…

– Me këtë çfarë doni të thoni?
Favorizohen haptazi ekipet që janë rivale në luftën për mbijetesë. Dhe stisen të atilla dënime duke përjashtuar Shkumbinin dhe duke prishur garën…

-A keni folur me klubin, do ta apeloni vendimin dhe besoni te drejtësia?
Shiko nuk është mirë qe si Disiplina ashtu edhe Apeli të jenë në varësi të FSHF-së sepse e pëson si ne. Por besojmë në kompetencën e gjyqtarëve të Apelit duke rishikuar provat dhe analizuar. Sepse ne kemi pasur raste të ngjashme madje në stadiumin “Dinamo” u tha se kishte lenë piroteknike që mund të rrezikohej jetë njerëzisht por u kalua si zakonisht pa u “lagur”.

Jo vetëm kaq por ka pasur raste me keq dhe kalohet me dënime me gjoba, kurse Shkumbini në vitet e fundit është bërë “mish për top”. Nuk është e drejtë. Shpresojmë qe Apeli të bëjë drejtësi në dobi të futbollit në radhë të parë dhe qytetit të Peqinit që jeton me futboll apo dhe garës… Intervistoi: E.Saliu/VipSport.al/