Ndeshja e sotme për Adën konsiderohet shumë  e rëndësishme për fatin e saj të mëtejshëm në kampionat. Ajo do të presë në fushën e saj skuadrën e vendit të fundit- Naftëtarin. Por kjo nuk do të thotë se do jetë një ndeshje e lehtë, përkundrazi kuçovarët pavarësisht renditjes, kanë bërë paraqitje të mira në kampionat dhe do kërkojnë të marrin pikë edhe në Velipojë. Nëse ndodh kjo, do ishte fatale për Adën, së cilës as barazimi nuk I bën punë në këtë ndeshje. Kjo do jetë ndeshja e fundit e saj në fushën e vet për këtë fazë të parë dhe në kushte të tilla, duhet patjetër të marrë trepikëshin. Ndeshjen tjetër, të fundit të kësaj faze, velipojakët do ta luajnë në transfertë me ekipin e Kamzës. Në kushte të tilla, patjetër që ndaj Naftëtarit nuk duhet çuar ndër mend ndonjë rezultat tjetër përveç fitores. Këtë gjë thotë edhe presidenti I kësaj skuadre Alfred Pjetri I cili për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Ne e kemi vlerësuar në maksimum këtë ndeshjen me Naftëtarin dhe në asnjë mënyrë nuk duhet ta nënvleftësojmë. Nuk jemi në pozita aspak të mira në renditje dhe duke qenë kështu, sigurisht që na bën punë vetëm fitorja në këtë ndeshje. Nuk duhet të llogarisim asnjë rezultat tjetër”. Edhe me ndryshimin e trajnerëve, kjo skuadër nuk po merr rezultatet e pritshme. E çuditshme është se ajo luan mirë, I afrohet shumë fitores por për një arsye apo një tjetër, nuk ia arrin. Ndodhi kështu edhe të hënën që shkoi në Himarë ku Ada ka qenë shumë pranë fitores. Madje në një moment, ajo ka fituar edhe një 11-metërsh dhe ndërsa futbollisti I caktuar për ta gjuajtur atë, merr topin në dorë për ta vënë tek pika e bardhë, gjyqtari ndërron mendje duke e anulluar atë. Çudira që ngjasin vetëm në futbollin shqiptar. Por nuk do mjaftonin këtu sepse pak minuta më vonë gjyqtari jep një 11-metërsh të paqenë për Himarën e cila shënon dhe e fiton këtë ndeshje me rezultatin 2-1. Të gjitha këto ndodhën edhe në sytë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka. Megjithatë, ajo ndeshje tashmë është lënë pas dhe e gjithë vëmendja është përqendruar tek takimi I rradhës me Naftëtarin që duhet fituar patjetër nga Ada. Për këtë ndeshje,nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Kulli sulmuesi Erkoçeviç I cili është ndëshkuar në mënyrë të gabuar me karton të verdhë nga gjyqtari I ndeshjes në Himarë, megjithatë ai do jetë I detyruar të pushojë sot për plotësimin e numrit tre të kartonave të verdhë. Ai është një lojtar I rëndësishëm për Adën, por edhe pa të, ajo do kërkojë ta fitojë me çdo kusht takimin e sotëm.
Gjergj KOLA