Një aktivitet shumë I rëndësishëm do të zhvillohet pasditen e sotme në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës. Do jetë aktiviteti tradicional që zhvillohet tashmë nga klubi shumësportësh Vllaznia në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Atletikës, pra dita e kërcimeve. Ndryshe ky aktivitet ka edhe emrin e ish- kampionit dhe rekordmenit të shquar të atletikës shkodrane dhe atij shqiptare Hysni Bebeziqi. Jo më kot një aktivitet I tillë zhvillohet në Shkodër sepse ky qytet ka një traditë të shkëlqyer në garat e kërcimeve, si në atë së gjati edhe në trehapësh. Kjo traditë vazhdon edhe sot teksa atletët e Vllaznisë janë më të mirët në këto disiplina. Në garat e sotme ndërkohë bëhet e ditur se kanë konfirmuar pjesmarrjen atletët më të mirë të vendit. Për rrjedhojë në mes tyre pritet një konkurrencë shumë e madhe për vendet e para. Këtë e ka bërë të ditur trajneri I Vllaznisë Vildan Tufi që për Gazetën e Sportit është shprehur: “Tashmë e kemi kthyer në traditë një aktivitet të tillë dhe besoj se do ketë edhe konkurrencë të fortë. Mjafton të them se në mitingun e fundit që zhvilluam në Tivar të Malit të Zi, ishin pesë atletë nga ekipet tona që konkurruar dhe të gjithë kërcyen mbi 7 metra. Ky është një sukses dhe të shpresojmë që në aktivitetin e Shkodrës pse jo të mos tentohet edhe thyrja e rekordit në kërcim së gjati”. Ndërkohë gjatë aktivitetit të sotëm do të nderohen nga Federata Shqiptare e Atletikës edhe katër ish- atletë të njohur të Vllaznisë vite më parë dhe pikërisht Arbana Xhani, Niko Laro, Arben Parmeza dhe Bardhyl Laçej. Edhe ky është një respekt për karrierën e tyre sportive në vite.
Gjergj KOLA