Skuadra e Vllaznisë po vijon përgatitjet për Superkupën ndaj Tiranës në Mal të Zi, aty ku do të qëndrojë për një periudhë një-javore. Si destinacion është zgjedhur Ulqini, ku gjatë kësaj periudhe stërvitore do të zhvillohen edhe ndeshje miqësore.

Kjo periudhë përgatitore në Ulqin po shfrytëzohet maksimalisht edhe në funksion të përforcimit të ekipit për rikuperimin e një prej futbollistëve më kryesorë të Vllaznisë, siç është Liridon Latifi, i cili së fundmi i është bashkuar grupit në stërvitje.

Nga ajo që është parë, te Vllaznia nuk mungon edhe atmosfera pozitive në skuadër, gjë e cila vjen pas rezultateve pozitive të siguruara në dy javët e fundit. Trajneri Mirel Josa i ka pasur të pranishëm në grumbullim të gjithë futbollistët, të cilët për përballjen e Superkupës me Tiranën do të jenë të gatshëm që të gjithë.

Ndërkohë, shkodranët akoma nuk kanë arritur të gjejnë një skuadër për të zhvilluar ndeshje miqësore, teksa drejtuesit po presin propozime qoftë nga skuadrat e Kategorisë së Parë, ashtu edhe nga ato të Superiores për të parë edhe gjendjen e futbollistëve.
Maringlen ZHIVANI