Thomas Strakosha ishte duke kaluar një formë të shkëlqyer në Serinë A me fanellën e Lazios. Gardiani shqiptar po shndërrohej në një protagonist absolut te skuadra e kaltër, ku me pritjet e tij, në shumë raste i ka siguruar triumfin skuadrës së Inzagit.

Së fundmi, faqja e njohur “Sport360”, ka bërë një vlerësim special për portierët më në formë të momentit, duke i renditur sipas niveleve përkatëse.

Në çdo nivel janë 2 portierë, ndërkohë që Strakosha është pozicionuar në nivelin e katërt, në një grup me gardianin e Juventusit, Shezni.

“Lazio ka rekordin më të mirë në Serinë A këtë sezon, përsa i përket aspektit difensiv dhe janë vetëm 1 pikë larg Juventusit në renditje. Kjo nuk do të ishte e mundur pa përpjekjet e një portieri të mrekullueshëm. Thomas Strakosha ka bërë disa pritje të frikshme që përkthehen në pikë për ekipin dhe është një nga më të mirët në zhytje të ulët për të ndalur goditjet nga të dy krahët.

Ndalimi i Edin Dzekos dy herë në Romë dhe pritjet e njëpasnjëshme në ndeshjen kundër Veronas në shtëpi patjetër që e mbushin filmin. Shqiptari është kompetent me topin në këmbët e tij, por gjuajtja e tij e fuqishme është një kërcënim për kundërshtarin. 25-vjeçari vuan kur janë rastet që duhet larguar topi nga ajri, por shkëlqen kur vendos të grushtojë, duke larguar rrezikun në këtë mënyrë”, shkruhet në përshkrimin e “Sport360” për gardianin shqipar.

Oblak dhe Alison janë 2 portierët më të mirë të momentit sipas “Sport 360”. Ndërkohë pas tyre në nivelin e dytë qëndrojnë Ter Shtegen dhe Kurtua.