Barcelona e mbylli këtë sezon në një mënyrë aspak të hijshme teksa u mposht me rezultatin 2-8 në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve ndaj Bajern Mynih. Katalanasit, tashmë kanë nisur punën për sezonin e ardhshëm ku iu duhet të bëjnë autokritikë.

Mirëpo, në mes është një pauzë e shkurtër e cila do t’iu shërbejë futbollistëve për të reflektuar, apo në rastin e portierit Mark Andre Ter Shtegen për t’u rikuperuar.

Gjermani ka pasur probleme me gjurin gjatë këtij sezoni, megjithatë për të qenë gjithnjë i gatshëm kishte vendosur ta shtynte zgjidhje e problemit. Zgjidhja e cila është një ndërhyrje kirurgjikale, më tepër në aspektin parandalues për një dëmtim më të rëndë në të ardhmen.

Kështu, sot, Ter Shtegen do të operohet në Barcelonë dhe më pas do të ketë nevojë për një pushim disa javor, para se të nisë sërish stërvitjet. Mendohet se gardiani mund edhe të humbasë ndonjë javë në fillimin e La Liga, por kjo varet edhe nga aftësia për të rikuperuar. /VipSport/