Flamurtari i Prishtinës nën drejtimin e trajnerit shkodran Samuel Nikaj po vazhdon rrugën e tij të sigurtë drejt ngjitjes në Superligën kosovare. Skuadra prej javësh vijon me serinë e rezultateve pozitive dhe mban sërish vendin e parë në renditje. Në ndeshjen e rradhës, atë të luajtur pasditen e sotme në fushën e vet, skuadra e drejtuar nga Nikaj ka arritur të fitojë me rezultatin e pastër 3-0 ndaj ekipit “Ramiz Sadiku”. Me këtë trepikësh, por edhe me barazimin që arriti rivali i saj kryesor, Vllaznimi i Gjakovës, diferenca në mes tyre tashmë ka shkuar në tre pikë dhe Flamurtari me një këmbë thuajse është në sezonin e ardhshmë në mes ekipeve më të mira kosovare. Natyrisht që një ecuri e tillë ka në bazë drejtimin shumë të suksesshëm nga ana e këtij trajneri që e mori skuadrën në vendin e tetë të renditjes dhe e çoi në të parin. Por jo vetëm ai. Siç dihet, tek prishtinasit luajnë edhe tre futbollistë shkodranë, Erbet Hotaj, Jurgen Gjini dhe portieri Ervin Hallunaj. Duhet të ndalemi tek ky i fundit. Ai me ndeshjen e sotme, ka plotësuar numrin 11 të tyre pa pësuar gol! Pra plot 990 minuta që porta e Hallunajt dhe e Flamurtarit nuk preket. Shkodrani në këtë mënyrë po spikat në kampionatin kosovar të futbollit me lojën dhe pritjet e tij dhe jo më kot, siç merret vesh, që tani janë disa ekipe të Superligës kosovare që e kanë kontaktuar dhe duan ta kenë pjesë të tyre në sezonin e ri. Megjithatë ai nuk kërkon të ngutet. Bashkë me skuadrën duan të arrijnë objektivin aktual, ngjitjen e Flamurtarit një kategori më lart dhe më pas do vendosë.Për ta arritur këtë, kuptohet që do të kërkojë ta vazhdojë rekordin e tij të pathyeshmërisë.

© shkodrasport.com