Fitorja me Laçin i jep vazhdimësi Skënderbeut dhe mbi të gjitha mban lart moralin e bardhekuqve në këtë fund të fazës së tretë. Për liderin e mbrojtjes korçare, Elvis Prençi, trepikëshi në transfertën kurbinase ishte shumë i rëndësishëm dhe konfirmon momentin fantastik që po kalon skuadra.
Ai flet edhe për ndeshjen e radhës kundër Vllaznisë, që do të zhvillohet të hënën në stadiumin e Korçës, në orën 17:00. Kujtojmë që në ndeshjen e fazës së dytë në Shkodër, bardhekuqtë pësuan humbjen më të thellë sezonale, me shifrat 5-0 në “Loro Boriçi”.
“Vllaznia është duke kaluar një moment shumë të mirë. Është një ekip që meriton respekt maksimal pa diskutim. Kemi përpara një javë për të përgatitur këtë ndeshje dhe do ta mundohemi ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme, me qëllim që të jemi gati për këtë takim.
Në fakt, ne mendojmë për ecurinë tonë dhe jo atë të kundërshtarit. Do të mundohemi të japim më të mirën në fushë dhe të jemi të përqendruar në maksimum për të zhvilluar një ndeshje të mirë. Skënderbeu, në çdo takim hyn me objektivin maksimal. Më pas do të shohim se çfarë do të na rezervojë fusha dhe kush do të jetë rezultati final”- eshte shprehur Elvis Prençi.