Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka qenë ai që ka hapur mbrëmjen gala “Më të mirët 2023” të organizuar nga FSHF për të vlerësuar emrat më të spikatur të viti 2023. Ai është ndalur te arritjet e institucionit të futbollit, por edhe te kualifikimi historik në Euro 2024, si dhe atë që pritet më tej.
“Kualifikimi në Europian ka qenë ngjarja më e bukur e vitit 2023, madje e gjithë historisë së futbollit shqiptar. Çdo ditë që kalon e ndjej suksesin e kombëtares dhe aq më shumë jam falënderues çunave të ekipit, por edhe stafit, për atë që na kanë dhuruar, për krenarinë që na kanë dhënë.
Ne jemi vend relativisht i vogël, por një komb i madh dhe jam i bindur se kjo skuadër i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm kombit shqiptar. Thirrja ime është shijojeni suksesin tuaj, Europianin, bëni atë që keni bërë në kualifikuese dhe jam i bindur që do na bëni më shumë krenarë. Ne jemi në shërbimin tuaj, jemi me ju gjithmonë.
Përveç bashkëpunimit të vazhdueshëm, kërkoj t’i kthehemi ndryshimeve të Ligjit të Sponsorizimit. Ky ligj do ta bënte më të bukur pjesëmarrjen masive në sport, do të rriste cilësinë, më të suksesshëm pjesëmarrjen ndërkombëtare, do ta bënte futbollin degë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Kam ndjesinë që kjo kërkesë e jona do të realizohet”, tha ndër të tjera Duka në fjalët e tij.