Një kapiten është përgjithmonë. Sot nuk është më pjesë e fushave të blerta, nuk shkelmon më topin, apo mbron ekipin nga pësimi i golit, por gjurmët që ka lënë nuk mund t’i fshijë dot askush. Dhe, kur flasim për liderin e gjithë shqiptarëve, atëherë emri që na shkon ndër mend është ai: Lorik Cana.

Pikërisht për këtë arsye, “DigitAlb”, me bashkëpunimin e fondacionit “Lorik Cana 5”, në kuadër të kontributit për artin dhe kinematografinë, prezantoi ditën e mërkurë në ambjentet e hotel “Plaza” në Tiranë, premierën e filmit dokumentar “Lorik”. Një realizim ky dhe këmbëngulje e gazetrit Andi Deçka.

Dedikimi për jetën dhe karrierën e legjendës së kombëtares kuqezi. Eshtë vetë protagonisti, që në vetën e parë, tregon gjithçka ka kaluar, nga fëmijëria e deri te arritjet, skuadrat që ka ndryshuar, fitoret, deri te qershia mbi tortë, Europiani 2016.