Nga Endri ÇINARI
Flamurtari mori fitoren e rradhës në Kategorinë e Parë ditën e djeshme. Vlonjatët triumfuan kundër Luzit në shifrat 2-1, sukses që i mban në vendin e 4-ët me 24 pikë. Për këtë fitore, por edhe objektivat e kuqezinjëve këtë sezon ka folur, Denis Pjeshka. Kapiteni shkodran i bregdetarëve thekson se një ekip si Flamurtari e meriton të jetë pjesë e Superiores.
Pjeshka tha: “Morëm një fitore të rëndësishme ditën e djeshme kundër Luzit. Kampionati i Kategorisë së Parë nuk është aspak i lehtë dhe çdo kundërshtar duhet vlerësuar. Dhe ne e merituam në fund 3 pikëshin. Patjetër duke pasur parasysh që ndeshja luhej edhe në shtëpinë tonë, lind detyra gjithmonë për fitore.
Objektivi? Patjetër që është ngjitja në Superiore. Por gjithçka merret nga ndeshja në ndeshje, ku nuk duhet gabuar. Sepse siç e thashë, kampionati është shumë i fortë. Dhe këtë sezon janë disa skuadra që pretendojnë ngjitjen dhe janë shumë serioze. Po ashtu Flamurtari është një skuadër që ia kërkon historia të jetë në Superiore.
Forma personale ? Po përjetoj një sezon shumë pozitiv në aspektin personal. Kam shënuar edhe 3 gola, që për mua janë një bonus. Uroj që jo vetëm unë, por i gjithë ekipi të vijojë me një formë në rritje deri në fundin e kampionatit.”