Teuta u mund në ndeshjen e fundit përballë Tiranës në shifrat 2-1. Durrsakët që janë edhe kampionët në fuqi të vendit nuk po kalojnë një formë të mirë së fundmi dhe po vuajnë me rezultatet. Tashmë ata janë 12 pikë larg Tiranës së vendit të parë dhe titulli për ta duket shumë larg.

Por edhe në humbjen kundër bardheblube mbrëmë kishte një “shkëndijë” pozitive në kampin durrsak. Bëhet fjalë për Ildi Gruden i cili u aktivizua në minutën e 62-të të takimi dhe gjeti rrugën e rrjetës. Sulmuesi shkodran u bë menjëherë protagonist me shpërthimet e tij karakteristike falë shpejtësisë që zotëron.

Në një moment Bekaj realizoi një mrekulli kundër 22-vjeçarit, ku në një goditje me kokë të sulmuesit të Teutës, portieri i Tiranës bëri një super pritje. Por goli nuk do vononte për Gruden që e gjeti rrjetën në të 84-tën. Një gol i cili i vuri “vulën” një performanca individuale shumë pozitive të Grudes.

Tashmë sulmuesi hedh kandidaturën për të qenë një titullar në takimet e rradhës. Kjo pasi sa herë zbret në fushë është i rrezikshëm për kundërshtarët e vendimtar me gola dhe asiste për Teutën.

Trajneri Martini mund t’i japë ndoshta një shans më tepër në ndeshjen e fundit të këtij viti kundër Egnatias. Kjo për të treguar edhe akoma më tepër besim tek Gruda që sa herë futet në fushë është protagonist me “djemtë e detit”.
Endri ÇINARI