Eridon Qardaku e fitoi betejën me “COVID-19”. Sulmuesi rezultoi negativ edhe në testin e tretë. Vazhdon të jetë në Shkodër, por stërvitjen nuk e ka lënë pas dore. Zyrtarisht karantinimi i përfundon të dielën dhe prej të hënës, logjikisht ka të drejtë që të stërvitet me grupin.

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, lojtari rrëfen se ndihet më i lehtësuar pas përgjigjeve që mori nga analizat e fundit. Vazhdon të mos e besojë se kishte Koronavirus, pasi simptoma nuk pati kurrë. E megjithatë, frika ka qenë prezente.

Tashmë që e ka hedhur pas krahëve këtë ëndërr të keqe, nuk e mohon dëshirën për të qenë në fushë në “Loro Boriçi”. Mbron ngjyrat e Bylisit dhe lutet për trepikëshin, por e pranon që përballë Vllaznisë emocionet i ka të pashmangshme.


Eridon, a jeni lehtësuar disi pas përgjigjeve të tamponit të tretë?

Sigurisht që po. Më vjen mirë, pasi edhe unë u habita në fillim. Simptoma nuk kam pasur dhe ende nuk e besoj se isha i prekur nga ky virus, gjithsesi jeta ka vijuar normalisht. Jam ushqyer dhe ushtruar si më parë….

A keni pasur kontakte me klubin gjatë kësaj periudhe?!

Kam pasur. Presidenti Kapllanaj vazhdimisht është interesuar, më ka dhënë shumë kurajë ai dhe edhe trajneri Dovedan. Pastaj edhe me shokët e ekipit kam folur vazhdimisht në telefon e “videocall”, sepse në Ballsh shkoj shumë mirë me të gjithë. Janë interesuar shumë edhe punonjës të mediave, ndaj dua t’i falënderoj dhe u jam shumë mirënjohës të gjithëve për mbështetjen e madhe që më dhanë.

Çfarë ka ndodhur me stërvitjen, si keni vepruar në këto ditë karantinimi?

Jam stërvitur patjetër. Kam kryer aerobi e ushtrime force. Për fat në shtëpi i kam kushtet dhe nuk më kanë penguar që të punoj. Nuk ishte risi, pasi edhe në kohë izolimi veprova njëjtë.


Keni punuar me program të dhënë nga stafi teknik?

Po. Trajneri në këtë periudhë dyjavore më ka dhënë program enkas dhe gjatë gjithë kohës kemi qenë në kontakt. Kujdeset për gjithçka, duke më sqaruar me detaje. Shpresoj që ta justifikoj mundin e tij, në ndeshjen e radhës.

Bylis ka luajtur tri ndeshje pa ju, si ju është dukur skuadra nga kampionati te Kupa?

Me që kisha, mendoj se do të kisha kontribuuar goxha për ekipin në këto tri ndeshje. Jam ende në kohë sidoqoftë, shëndeti mbi të gjitha. E rëndësishme është që jam mirë, duke bërë tifo nga shtëpia. Dhe bashkë me mua, edhe familja ime ka qenë në mbështetje të ekipit tim nga TV-ja.


Ndeshja e radhës në Shkodër…

Kam emocione të mëdha. Këtu është familja ime, kemi miq e të afërm… e megjithatë dua qe ta fitojë Bylisi këtë takim. Unë jam lojtar në Ballsh dhe dua që të respektoj fanellën për të cilën luaj. Jo vetëm për ne shkodranët, por kushdo që luan në “Loro Boriçi” ndihet njëjtë si unë. Shpresoj që të jem i lirë dhe të rikthehem me skuadrën, sepse këtë fundjavë unë i plotësoj të tëra afatet protokollare….

A e shihni veten ende pjesë të Shpresave?

Do të punoj shumë, shpresoj që të jem, sepse është eksperiencë shumë e mirë.