Partizani ka vendosur në objektiv ndeshjen me Dinamon dhe vijon përgatitjet për këtë betejë, e cila flet shumë për sezonin e të kuqve.

Kupa është synim i “demave” dhe në rast se e humbin çerekfinalen e nesërme në “Air Albania” në orën 18:00, sezoni mund të quhet paraprakisht i dështuar. Kështu, skuadra e Mehmetit është maksimalisht e përqendruar dhe dje zhvilloi stërvitjen e radhës.

RËNDËSIA E MADHE – Për të treguar rëndësinë e kësaj përballjeje, na mjafton të theksojmë se stërvitjen e ndoqi me mjaft vëmendje edhe drejtori i klubit të kuq, Olsi Rama.

Pjesa e parë e seancës ishte e organizuar me lojëra, duke e lënë përkohësisht mënjanë taktikën dhe duke u përqendruar në automatizimin e lëvizjeve te lojtarët.

Pas përfundimit të kuadrateve, ku skuadra ishte ndarë në disa pjesë, ishte përgatitësi atletik, Sakone, i cili e mori skuadrën për disa minuta nën urdhrat e tij dhe e “shtrydhi” me ushtrime sprinti dhe kërcime të fuqishme.

Deri në këtë fazë të stërvitjes ishte e pranishme e gjithë skuadra, teksa Bitri, i cili mungoi në ndeshjen e fundit, u trajnua normalisht.

ALBION MARKU NË DYSHIM – Mbrojtësi i djathtë u stërvit me grupin në pjesën e parë të seancës, por u veçua në pjesën taktike, kur trajneri Mehmeti provoi edhe disa skema për formacionin. Ai në ndeshjen ndaj Teutës pësoi një goditje dhe doli i dëmtuar nga fusha, ashtu si Skuka.

Nëse ky i fundit është rikuperuar plotësisht, ndryshe ndodh me Markun, i cili është në dyshim të madh për çerekfinalen.

Ndërkohë, edhe Matondo, i ardhur në janar, nuk mori pjesë në stërvitjen taktike. Në pjesën e dytë të seancës, Mehmeti e ndau ekipin në dy pjesë. Sulmuesit, nën drejtimin e zëvendëstrajnerit Fatjon Tafaj, praktikuan depërtimet në qendër e krahë dhe goditjen drejt portës, ndërsa mbrojtësit nën dirigjimin e Mehmetit simuluan skema të ndryshme për të përmirësuar manovrën në këtë repart.

PENALLTITË – Në fund pas një minindeshjeje të shkurtër, skuadra praktikoi edhe penalltitë, që mund të jenë një faktor shumë vendimtar për këtë sfidë duke u nisur nga fakti se ndeshja e parë është mbyllur në barazim 1-1 dhe golat në fushë kundërshtare nuk llogariten më.