Rejan Alivoda, mesfushori që me golin fantastik të shënuar ndaj Dinamos i dha Vllaznisë tri pikë të arta është njeriu i ditës në Shkodër. Titullari kuqeblu për “Panorama Sport” është shprehur i kënaqur më shumë për pikët e arritura, se për golin e shënuar.

Ai ka folur edhe për marrëdhëniet me teknikun Osmani dhe për atë që ka ndryshuar te skuadra. Alivoda preku edhe përballjen e së shtunës ndaj Tiranës, ndërsa pranoi se një vend në katërshe është ende i hapur.


Mendoni se fitorja që morët ndaj Dinamos ishte një triumf me shumë vlera?

Çdo fitore ka vlerat e veta, por ndaj një kundërshtari direkt është shumë më tepër. Ishte një fitore që tregoi edhe njëherë vlerat që mbartim.

Shënuat një gol spektakolar që vendosi fatet e sfidës dhe tri pikët. E parandienit?

Parandieja qe do të arrinim të fitonim, pasi e kishim përgatitur mirë këtë takim. Normalisht që gjithmonë kam parandjenjën që mund ta bëj një gjë të tillë.

A i keni provuar edhe në stërvitje të tilla goditje apo ishte një zgjidhje momentale?

Kam tentuar të gjuaj, por nga njëherë fati s’më ka dashur. Teknikët ma kanë kërkuar që të bëj këtë goditje drejt portës.

Trajneri duket se tani jua ka gjetur vendin, mendoni se ndiheni mirë në atë pozicion?

Ndihem mirë kudo në mesfushë, por në këtë rol jam më mirë dhemundohem të jap më të mirënnë çdo rol.

Kur ju këshillon trajneri, cila është përgjigja juaj?

Dëgjoj shumë dhe normalisht qëmundohem t’i zbatoj në mënyrënmë të mirë të mundshme çdo këshillë të tij.


Çfarë ka ndryshuar kjo skuadër që tani po shkëlqeni në fushën e lojës dhe po merrni rezultate?

Mendoj se te kjo skuadër ka ndryshuar mentaliteti. Ka shumë dëshirë dhe gjithçka është në harmoni të plotë.

Cili lojtar shkodran në rolin ku po luani ju ka frymëzuar?

Të gjithë figurat e mëdha të futbollit që kanë luajtur me Vllazninë më frymëzojnë, që të ndjek rrugën e tyre.


Të shtunën përballë Tiranës, a do të kërkoni sërish fitoren e radhës në kampionat?

Ne gjithmonë do të futemi në fushë të fitojmë dhe të japim me të mirën. Besoj që dhe me Tiranën do të jetë një ndeshje e fortë dhe e bukur dhe shpresoj që t’ia arrijmë qëllimit ta fitojmë edhe këtë ndeshje.

Për Vllazninë, a vendi në katërshe tani është i sigurtë?

Jemi në vendin e dytë, por asgjë s’ka përfunduar dhe ka ende shumë takime. Asgjë nuk ka mbaruar duhet të luftojmë deri në fund për të mbajtur këtë pozicion.