Ka vetëm pak kohë që i është bashkuar këtij ekipi dhe është menjëherë pjesë e suksesit të Kupës së Shqipërisë.

Arben Parmeza është mësuar gjatë karrierës së tij sportive si atlet i Vllaznisë duke fituar trofe por si trajner nuk e kishte përjetuar këtë emocion.

Kjo tashmë u bë realitet dhe ai ndjehet mjaft mirë. Në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” pas fitores së djeshme ndaj Tirana AS në finalen e Kupës, ai është shprehur:

“Për mua është kënaqësi e veçantë që e fitoj këtë trofe. Më duket se jam kthyer në origjinë.

Në fakt në jetën time sportive jam mësuar me kupa, rekorde e tituj kampionë ndërsa si trajner nuk e kisha përjetuar një gjë të tillë deri më tani.

Ky është trofeu im i parë që fitoj dhe këto janë emocionet e para që përjetoj.

Merita i takon këtij ekipi fantastik, punës së palodhur të trajnerëve e stafit, menaxhimit fantastik të presidentit.

Ndjehem shumë mirë që tashmë jam pjesë e këtij ekipi fitues, pranë stafit, për të dhënë më të mirën time.

Për të dhënë maksimumin që të vazhdojmë në këtë rrugë të mrekullueshme suksesesh që ka ekipi i Vllaznisë së femrave në futbollin shqiptar.

Objektivi i këtij ekipi është të luftojë me vetveten, të punojmë fort për të rritur nivelin e këtyre vajzave, jo vetëm për të fituar tashmë edhe titullin kampion të këtij sezoni.

Por edhe për një pjesmarrje sa më dinjitoze në Champions League për të synuar kalimin e turit të parë”-është shprehur Arben Parmeza.
www.shkodrasport.com