Andi Ribaj, prej tre vitesh është bërë pjesë e Flamurtarit duke shpresuar që të ndihmonte ekipin të kthehej te lavdia e dikurshme. Por për fat të keq, sulmuesi fierak ka parë pak nga pak rënien e këtij klubi, që u kulmua me humbjen sot përballë Tërbunit dhe rrëzimin në Kategorinë e Dytë pas ruletës së penalltive.

Një verdikt i rëndë për çdo tifoz të klubit, ashtu si edhe për lojtarët që kanë veshur fanellën e Flamurtarit në këtë sezon. Ndaj Ribaj, i cili mban shiritin e kapitenit në skuadër, ka kërkuar ndjesë në emër të të gjithëve në një postim në rrjetet sociale.

“Ekipi i Flamurtarit është një ekip me histori në futbollin shqiptar! Duke luajtur për këtë ekip për tre vite radhazi jam përpjekur pozitivisht të jap maksimumin tim! Sot ishte një ditë shumë e vështirë për ekipin dhe mbi të gjithë për mua!  

Duke marrë përgjegjësitë e mia si kapiten, në emër të ekipit i kërkoj ndjesë presidencës, stafit dhe tifozëve vlonjate.

Flamurtari do të rikthehet shpejt atje ku e meriton të jetë”, shkruante sulmuesi i cili në karrierën e tij ka luajtur në disa prej klubeve më të njohur të futbollit shqiptar. /vipsport/