Arinaldo Rrapaj ka qenë një nga emrat që i kanë dhënë lamtumirën Partizanit në merkaton e janarit për të nisur një aventurë jashtë Shqipërisë. Por duket se kjo aventurë për mesfushorin do të shtyhet deri në sezonin e ardhshëm.

Rrapaj do të jetë pjesë e Partizanit deri në fundin e këtij sezoni. Klubi i kuq dhe Ludogorets ku është transferuar futbollisti, kanë arritur një akord që lojtari të vazhdojë të luajë me kryeqytetasit deri në qershor, i kaluar në formë huazimi te ata.

Mësohet se kjo ka ndodhur pasi Rrapaj dëshironte të qëndronte në Shqipëri për arsye personale dhe kjo ka qenë zgjidhja më e mirë që të vazhdojë të aktivizohet rregullisht, për më tepër me një skuadër që njeh shumë mirë.

Fakti që Partizani nuk e kishte nxjerrë ende jashtë liste Rrapajn, pasi nuk ishte finalizuar ende transferimi i plotë i futbollistit te klubi bullgar, bën që ai të vazhdojë të jetë pjesë e të kuqve përtej faktit se merkato e dimrit është mbyllur në vendin tonë.