Gjithçka ka nisur diçka më shumë se tre vjet më parë. U bashkuan ndoshta rastësisht dhe prej atëherë e deri më sot janë shndërruar në protagonistët kryesorë të atletikës shkodrane por edhe asaj shqiptare.

E kemi fjalën për atletin kampion dhe rekordmen Franko Burraj dhe trajnerin e tij Bruno Rrotani. Ky i fundit kishte kohë që premtonte se pas rekordit të 400 metrave, do të thyenin edhe atë të 200 metrave dhe kështu ndodhi në garat e ditës së djeshme zhvilluar në “Loro Boriçi” në kuadrin e kupës “100 vjet atletikë Vllaznia”.

“Jemi shumë të gëzuar që ia arritëm të thyejmë edhe këtë rekord. Ky rekord u zyrtarizua ngaqë ishte i pranishëm edhe matësi elektronik që duhet për raste të tilla. E gjithë kjo ka ardhur falë punës së madhe, sakrificës së bërë nga një sportist si Frankoja, por edhe punës time gjithashtu dhe e bëmë realitet atë çfarë kishim premtuar”- thotë trajneri Rrotani.

Shifrat e reja tashmë janë vendosur në 21″45 por trajneri i Burrajt mendon se ato janë provizore. Kjo ngaqë rekorde të reja do të vendosen në të ardhmen, por sakaq vëmendja tashmë do të jetë përqendruar në marrjen e medaljeve në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare.

“Në muajin korrik organizohet Kampionati Europian U23 dhe do të jemi pjesmarrës në të. Ne shpresojmë që çdo gjë të ecë mirë dhe besoj se do të kthehemi me medalje. Po ashtu edhe me rekorde të reja por rekordet tashmë janë bërë pjesë e jona dhe në çdo aktivitet do të tentojmë të vendosim të reja”- thotë trajneri Bruno Rrotani.
© shkodrasport.com