Sulmuesi i Genoas, Albert Gudmunsson, është një nga lojtarët që ka spikatur më së shumti në këtë sezon të Serie A, ku ka arritur të shënojë 13 gola në 31 ndeshje.

26-vjeçari pas paraqitjeve të tij, ku përveç golave ka edhe asistime, ka tërhequr vëmendjen e Inter dhe Juventusit.

Dy gjigantët italianë kanë nisur duelin në distancë, megjithatë duket se të dyja palët do të zhgënjehen në fund, pasi Gudmudnsson shprehet se ëndërron që në të ardhmen të luajë në Ligën Premier.

“Dua që ta vendos veten në prova të mëdha dhe të luaj në nivelet më të larta. Që fëmijë kam ëndërruar për Ligën Premier, është një kampionat që dua ta provoj”.

“Të shohim se çfarë do të ndodhë deri në fundin e sezonit, për momentin kam një kontratë me Genoan deri në vitin 2027”.

“Jam shumë i kënaqur nga ky sezon me Genoan. Para se të vija në Itali, nuk e njihja Genoan, bëra një kërkim në “Google” dhe më pas mora menjëherë aeroplanin”, ka thënë Gudmundsson.

Islandezi ka luajtur në Holandë te AZ dhe PSV para se të zbarkojë në Serie A. /Telegrafi/