Humbja me Tiranën nuk ka lënë aspak shije të mirë në Ballsh dhe për më tepër mënyra se si skuadra mallakastriote ka luajtur në kryeqytet, po jo vetëm pasi edhe në javët e fundit në tërësi nuk është luajtur mirë.

Ndërkohë me Naxhi Shensoin, te Bylisi kanë nisur që t’i bëjnë planet ndryshe dhe menjëherë do të kërkojnë që sot të marrin më të mirën edhe pse përballë do të kenë një nga skuadrat më në formë të elitës, siç është Vllaznia.

FORMACIONI – Pas humbjes me Tiranën, skuadra ka nisur grumbullimin, duke i kushtuar një rëndësi të madhe përballjes së sotme. Sa i përket ndryshimeve në formacionin bazë, patjetër që do të ketë disa. Shensoi ka ndjekur edhe sfidën e fundit me Tiranën për të krijuar edhe një ide sa më qartë në kokën e tij.

Trajneri i ri pritet që t’u besojë afrimeve dhe me shumë gjasa sot nga minuta e parë do ta nisë Zguro në krahun e majtë. Ndërkohë kthehen edhe dy të pezulluar, Antoni Beji dhe Aldo Qoshku, ky i fundit mund të aktivizohet në pjesën e dytë.

Shensoi kërkon një mbrojtje hermetike ndaj shkodranëve dhe gjithashtu do që ekipi të shfaqë agresivitet, për të cilin Bylisi njihet në vitet e fundit si ekip. Ndërkohë përpara do të jetë Eskuerdinja, Kaçorri dhe Antoni Beji, mbrapa tyre Ruçi, Loran dhe Maçolli, ndërsa me Zguron e Trumçin, në mbrojtje do të jenë edhe Janku me Damçevskin.

TRUMÇI – Bylisi në radhët e veta ka edhe shkodranë, por ai që po spikat këtë sezon është pa dyshim Aleksandër Trumçi, që mban edhe shiritin e kapitenit. Ai luan sezonin e tretë në Ballsh dhe vitin e tij të dytë si titullar. Trumçi përpara ndeshjes ka dhënë një prononcim për “Panorama Sport”, ku jep mendimin e tij sa i përket sfidës me Vllazninë.

”Në fakt është një ndeshje për të cilën kemi punuar shumë dhe tashmë duhet që të shprehemi në fushën e lojës sa më mirë. Për fat të mirë luajmë në fushën tonë edhe pse kemi treguar se ne bëjmë surprizë edhe jashtë fushës. Ne vijmë në këtë sfidë nga një humbje me Tiranën, por ajo që dua të them është se do të bëjmë autokritikën.

Nesër (sot) do të hyjmë në fushë dhe që në sekondën dhe topin e parë, do të kemi mentalitetin për ta fituar ndeshjen dhe të bëjmë kështu një autokritikë në “Adush Muça””, thotë ai fillimisht.

TRAJNERI I RI – Trumçi e ka edhe një koment për ndryshimin e trajnerit. “Trajneri i ri uroj që të ketë sa më shumë sukses dhe për më tepër që e njeh Bylisin shumë mirë, sepse duket edhe nga atmosfera këtu. Kështu që shpresoj ta ketë këmbën e mbarë dhe ta nisim me fitore në shtëpinë tonë.

Të gjitha sfidat janë delikate, jo vetëm kjo me Vllazninë. Ne duhet që të luajmë futboll dhe të bëjmë më të mirën dhe të shfaqemi si një skuadër agresive. Vetëm kështu marrim rezultat dhe shkojmë te suksesi”, përfundoi Trumçi.