Vllaznia U19 ka humbur thellësisht pasditen e sotme ndaj Astanës në shifrat 4-0 megjithatë ajo që ka bërë shumë përshtypje edhe në këtë ndeshje, ka qenë numri i konsiderueshëm i tifozëve që kanë qenë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” për ta ndjekur atë.

Siç e shikoni edhe nga fotoja që ilustron këtë shkrim, foto kjo e bërë nga fotografi i njohur Gjon Gjeka, në stadium kanë qenë të pranishëm mbi 2500 tifozë.

Që do të thotë se edhe më shumë sesa një vit më parë ndaj moldavëve të Zimbrus për të njëjtin kompeticion. Drejtuesit e stadiumit janë detyruar të japin edhe tribunën përballë sot ngaqë tribuna qendrore u mbush plot.

Tifozët shkodranë kësisoj mbesin të veçantë nga mënyra si i ndjekin ekipet e tyre. Për më tepër që në fund të takimit, ata ashtu si gjithmonë, janë treguar edhe shumë “xhentilë” duke duatrokitur kundërshtarin për lojën e bukur të zhvilluar dhe për fitoren ndaj Vllaznia U-19.
www.shkodrasport.com