Një tjetër futbollist kuqezi ndryshon skuadër gjatë merkatos së verës. Mbrojtësi i kombëtares U21, Daniel Hysaj, i ka dhënë lamtumirën ekipit të të rinjve të Napolit, për të provuar një eksperiencë mes profesionistëve në këtë edicion.

Hysaj, kushëriri i futbollistit të kombëtares shqiptare A, Elseid Hysaj, ka dhuruar paraqitje shumë të mira në këto vite te Napoli dhe ka tërhequr interesin e klubeve profesioniste. Ka qenë Taranto në Serinë C që është interesuar për futbollistin dhe pas disa ditëve negociata me Napolin, ka siguruar firmën e tij.

Mbrojtësi është transferuar në huazim për këtë edicion, pasi Napoli ka ruajtur pronësinë e kartonit të tij, meqë beson se ai është një element i rëndësishëm për të ardhmen.

Futbollisti ka qenë në vitin e fundit pjesë e grumbullimeve të kombëtares Shpresa, teksa pritet që të vazhdojë të luajë rregullisht me kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi edhe në vijim.