Futbollisti shkodran Kevin Haveria bashkë me skuadrën e tij- Rimini, ia kanë dalë me sukses të arrijnë objektivin që kanë patur për sezonin aktual duke zënë vendin e parë në Seria D dhe duke u ngjitur tashmë në Seria C të futbollit profesionist italian.
20 vjeçari ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e formacionit të kësaj skuadre duke qenë titullar në thuajse të gjitha ndeshjet e kampionatit dhe ka dhënë kontributin e tij në këtë sukses.
Rimini ka zënë vendin e parë në grupin D të Seria D dhe si rrjedhojë automatikisht ka fituar të drejtën për t’u ngjitur në Seria C, e cila siç dihet është pjesë e futbollit profesionist italian.
Rimini ka bërë paraqitje të shkëlqyer duke qenë e shkëputur 4 pikë në fund nga Ravenna e vendit të dytë dhe një pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre ka qenë padyshim edhe mbrojtësi shkodran Kevin Haveri.
Ai ka qenë në fushë si titullar në 33 nga 37 ndeshjet e kampionatit teksa ka luajtur plot 2553 minuta, duke u shndërruar në një titullar të padiskutueshëm në rolin e mbrojtësit të majtë teksa ka dhënë edhe 4 asiste.
Kevin Haveri është padyshim në një moshë shumë të re dhe konsiderohet një lojtar me shumë perspektivë. Shumë skuadra edhe të kategorive më të larta në futbollin italian i kanë hedhur sytë drejt tij dhe në verë nuk përjashtohet mundësia që ta shohim duke luajtur në një ekip më të fortë.
Gjergj KOLA