Vllaznia gabon rëndë në minutat e fundit të ndeshjes së luajtur pasditen e sotme në Korçë ndaj kampionëve në fuqi të vendit duke çuar dëm një trepikësh me shumë vlerë të cilin ajo e pati në dorë por në fund është mundur 3-4.Ka nisur me surpizë që në fillim ndeshja mes Skënderbeut dhe Vllaznisë. Në një ndeshje që parashikohej e lehtë për vendasit që duhej të përfitonin nga ndalesa e dy kryesuesve, ishin miqtë nga Shkodra ata që kaluan të parët në avantazh. Kur kishin kaluar vetëm pesë minuta nga fillimi i ndeshjes, duke përfituar nga një gabim i dyfishtë i portierit Shehi, si në rivënien e topit, ashtu edhe në mungesën e impenjimit për ndalimin e tij, Çinari ka dërguar topin në rrjetë duke kaluar Vllazninë në avantazh. Skënderbeu ka mundur të barazojë shifrat pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt të pjesës së parë. Salihi ka realizuar nga pika e bardhë e penalltisë duke shndërruar në gol atë 11-metërsh të fituar nga Plaku. Kur luhej minuta e 52’ e ndeshjes, Shehi bëhet sërish protagonist negativ, pasi ka ndalur në mënyrë të parregullt në zonë Gocajn, duke bërë që arbitri të akordojë penallti në favor të shkodranëve. Një 11-metërsh i ekzekutuar në mënyrë perfekte nga Tafili që ka rikthyer shkodranët në avantazh. Salihi është në ditën e tij më të mirë prej kohësh, pasi në të 72’ ka barazuar sërish shifrat, pasi ka devijuar në rrjetë atë top të shërbyer nga Latifi dhe të pa zotëruar nga Selimaj. Gjithsesi asgjë nuk ka përfunduar, të paktën deri në të 74’, kur Bakaj ka rivendosur avantazhin për shkodranët, për të tretën herë në këtë ndeshje të pabesueshme në Korçë. Kur luhej minuta e dytë shtesë dhe pritej vërshëllima e fundit e arbitrit, Muzaka ka barazuar shifrat në 3-3. Vetëm dy minuta më vonë Skënderbeu përmbys gjithçka falë 11-metërshit të shkaktuar nga Cicmil (qe le edhe fushen me karton te kuq per plotesim te numrit dy te te verdhave), të shndërruar në gol nga Latifi, që i ka dhënë Skënderbeut një fitore shpresëdhënëse për titullin kampion.

© shkodrasport.com