Të hënën që shkoi ka fituar titullin e gjashtë kampion me ekipin e basketbollit të të rinjve të Vllaznisë. Roland Koka është “arkitekti” i të gjithë këtyre sukseseve dhe mbi të gjitha, i nxjerrjes së shumë sportistëve të talentuar të dalë nga duart e tij. E ka nisur punën me këtë ekip në sezonin 2005-2006 dhe brenda pak muajsh fillon të hedhë bazat e punës së tij të suksesshme. Atë sezon me Vllazninë e drejtuar prej tij, zë vendin e dytë në kampionat. Një vit më vonë shpallet për herë të pare kampion, në fund të sezonit 2006-07, ritual që do ta përsëriste edhe në sezonet 2007-08, 2009-10, 2012-13, 2013-14 dhe së fundi, më 2016- 17. Titull ky që plotëson “gjashtëshen” e tij të trofeve si trajner.Kuptohet për titujt kampionë e kemi fjalën sepse Koka ka fituar edhe dy trofe të tjerë.

Behet fjale per dy Kupa te zhvilluar ne nderim te dy figurave te shquara te basketbollit shqiptar si Esat Haxhi dhe Feti Borova. E para u zhvillua ne Shkoder me 2006 dhe u fitua nga Vllaznia ndersa e dyta nje vit me vone ne Tirane dhe serish triumfoi ekipi i drejtuar prej tij. Profesor Rolandi gjate këtyre viteve ka nxjerrë sportistë si Nikolin Arra, Fatjon Taraboshi, Erjon Llazani, Fatjon Gjoka, Gjon Ndoja, Fatjon Halluni, Robert Shestani, Damian Bekteshi, Maris Huti, Antonio Shabani dhe për të mbërritur tek vëllezërit Lekndreaj, Doda dhe Daniel si dhe Reidi Rakajti. Ndërkohë në sezonin e fundit, emrat që kanë spikatur janë ato të Rrashketës, Kuçit, Perajt, Bitrit, Tinajt, Markut etj. Emra të cilët kanë mbushur rradhët e ekipit të Vllaznisë por edhe ekipeve të tjera të kampionatit shqiptar si dhe të ekipeve kombëtare. Janë këto elementë që e bëjnë Kokën të ndjehet i plotësuar. Pak kohë më parë ka mbushur 65 vjeç por i duket vetja shumë i ri sepse stervit djem të rinj dhe prandaj nuk dëshiron të ndalet me kaq. Pavarësisht se vështirësitë që has çdo ditë, kryesisht për kushtet e papërshtatshme ku stërvitet ekipi, janë shumë të mëdha. Ka dëshirë të vazhdojë ndonëse asnjëherë nuk e kanë vlerësuar aq sa duhet për punën që bën dhe sukseset që arrin. I tillë ka qenë gjithnjë Roland Koka, fjalëpak dhe punëshumë. I rreptë në kërkesat e llogarisë ndaj sportistëve por edhe i kudogjendur për hallet dhe vështirësitë që ato hasin edhe në jetën e përditshme. Jo më kot të gjithë e respektojnë për këtë që është dhe për atë se çfarë bën.

 

Gjergj KOLA