Sukseset e ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë vazhdojnë. Pasi kanë fituar Kupën e Shqipërisë dy muaj më parë, sot ata janë kurorëzuar edhe si kampionë të vendit. Me këtë trofe, ata e kanë çuar në tetë numrin e tyre të fituar në këto katër vitet e fundit duke dominuar në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarëve. Edhe edicioni i sivjetëm ka qenë i tillë dhe titulli kampion ishte siguruar prej dy javësh në fakt por u zyrtarizua sot pas ndeshjes së fundit të kampionatit.

Ajo është luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj ekipit tjetër të Shkodrës, The Door dhe në fund të saj janë fiksuar shifrat 4-0. Autore e golit të parë ka qenë Gjergji ndërsa më pas, Muja ka shënuar tre golat e tjerë. Në këtë mënyrë, vajzat kuqeblu sigurojnë fitoren e 18-të në po kaq ndeshje të luajtura ndërsa golaverazhi i tyre është fantastik, prej 153 golash të shënuar dhe vetëm 1 i pësuar. Pas përfundimit të ndeshjes, është zhvilluar edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe e kupës për ekipin kampion të këtij sezoni. Në emër të FSHF-së i deleguari për të dorëzuar kupën ka qenë anëtari i komitetit Ekzekutiv Vasil Bici që ka nderuar kampionet e këtij sezoni. Natyrisht momenti i dorëzimit të kupës në duart e kapitenes Uendi Muja ka patur brenda emocionet e veta dhe më pas, natyrisht që vajzat kampione kanë shpëthyer në ovacione. Sigurisht që tashmë ato u mësuan me trofe por çdonjëri që fitojnë, ka të veçantat e veta. Megjithatë duket se presidenti Matija nuk ka ndër mend të ndalet këtu por të vazhdojë edhe në të ardhmen të dominojë në futbollin shqiptar të femrave.

© shkodrasport.com