Vllaznisë nuk i del inati me gjykimin. Humbja që pësuan në kryeqytet, djeg ende. Në Shkodër ndihen të dëmtuar prej vendimeve të Enea Jorgjit, ndaj presin që minimalisht gjyqtari dhe federata të kërkojnë falje.

I këtij mendimi është pikërisht Gilman Lika, i cili në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” analizon edhe një herë 90-minutëshin ndaj Tiranës. Kapiteni nuk kursen askënd, duke filluar nga kryesori i asaj sfide e për të kaluar te vetë FSHF-ja.

Madje, këtyre të fundit u kujton se do të ishin mbledhur të paktën 100 herë nëse i njëjti gabim do të bëhej ndaj ndonjë ekipi tjetër. Mesfushori u ndal edhe te kriza e rezultateve, teksa evidentoi se kuqeblutë kanë mbetur “viktimë” e karantinës.

E megjithatë, paralajmëron se nuk e rrezikojnë në asnjë moment “play out”-in dhe do të japin gjithçka për të tentuar kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Gjykimi i “klasikes” vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Ndiheni të vjedhur nga ajo ndeshje?

Pa asnjë mëdyshje, mund ta them: Gjykimi në atë takim dhe direkt Enea Jorgji ndikuan në rezultat. Nëse ajo që ndodhi ishte një gabim, atëherë më e pakta që mund të bëjë Enea dhe vetë federata është që t’i kërkojnë falje Vllaznisë dhe gjithë Shkodrës për dëmin e madh që u shkaktua.

Jam i bindur që nëse do t’i kishte ndodhur një ekipi tjetër e njëjta gjë, deri më sot në federatë do të ishin mbledhur 100 herë. Por, me sa duket, Vllazninë po e trajtojnë ndryshe.