Dy ditë më parë Izmir Smajlaj zuri vendin e parë dhe meritoi medaljen e artë në Kampionatin Europian të vendeve të vogla që u zhvillua në Lihtenshtejn.

Ky është suksesi i rradhës për këtë sportist cilësor por natyrisht jo i fundit.

Në një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport” pas këtij suksesi, atleti shkodran do të shprehej:

“Jam shumë i kënaqur me arritjen e fundit në Kampionatin Europian të vendeve të vogla ku arrita jo vetëm të marr medaljen e artë në kërcim së gjati por njëkohësisht edhe trofeun e sportistit më të mirë.

Distanca 7.90 m që arrita në këtë Kampionat është një rezultat fantastik. Besoj se jam në rrugën e duhur për në Berlin.

Kam edhe dy muaj kohë për t’u përgatitë për Europianin e madh dhe padyshim që objektivi im është të futem në zonën
e medaljeve”.

Por në fakt, ka edhe nga ata që mendojnë se Izmiri nuk po kalon një gjendje të mirë ngaqë nuk po arrin ta thyejë sërish rekordin.

Kjo gjë e ka irrituar Kampionin e Europës i cili mendon ndryshe dhe prandaj shton:

“Ndokujt mund t’i interesojë më shumë rezultati sesa triumfi im. Mua më intereson fitorja dhe medalja e artë që i dhurova sërish Shqipërisë.

Sigurisht që rezultatet e mia janë shumë pranë rekordit dhe padyshim që do të tentoj ta thyej në çdo garë që unë do të marr pjesë.

Për momentin jam i fokusuar maksimalisht tek Europiani i Berlinit që do të zhvillohet në muajin gusht”.
© shkodrasport.com