Kalendari i favorshëm i këtyre ndeshjeve të fundit sigurisht që duhet shfrytëzuar dhe kjo gjë mund të realizohet me një trepikësh ndaj Luftëtarit në ndeshjen e rradhës. Nga tre sfidat rradhazi në “Loro Boriçi” shumëkush e konsideroi detyrë për Vllazninë marrjen e shtatë pikëve dhe për ta realizuar këtë, duhet fituar me gjirokastritët. Këtë gjë mendon edhe kapiteni i saj Ndriçim Shtubina që gjithsesi e konsideron shumë të vështirë këtë përballje.
“U kam thënë edhe shokëve të ekipit se ndeshja me Skënderbeun ishte më e lehtë se ajo me Luftëtarin duke parë edhe mënyrën e lojës si luajnë këto dy ekipe. Me gjirokastritët jam i bindur se ka për t’u zhvilluar një lojë shumë më e fortë por nëse Vllaznia vazhdon me këtë ritëm që ka aktualisht, besoj se do të zhvillojë një ndeshje të mirë. E rëndësishme për ne është të luajmë mirë në prapavijë në mënyrë që t’i ruhemi ndonjë të papriture të pakëndshmen sepse kundërshtari ka një kundërsulm shumë të rrezikshëm dhe më pas, t’i marrim haëpsirë me aksione në mënyrë graduale”- është shprehur ai. 29 vjeçari në ndeshjen e fundit luajti si mesfushor krahu por më parë ka luajtur edhe si sulmues, kjo ngaqë mungon një lider në këtë repart. Për këtë arsye, i pyetur nëse skuadra ka nevojë për ndërhyrje në merkato, Shtubina ka thënë: Normal që çdo skuadër ka nevojë për merkato por është trajneri që e di më mirë këtë gjë se ku ka nevojë për ndërhyrje por gjithsesi nuk më takon mua të jap mendim për këtë sepse është detyrë e stafit”. Ai është shndërruar në një lider të kësaj skuadre dhe shumë prej figurave të njohura të klubit shkodran, ndër ta edhe Vioresin Sinani, e kanë vlerësuar për këtë gjë. I pyetur pikërisht në lidhje me këto vlerësime, ai ka folur me shumë sinqeritet duke thënë: “Duhet të rrimë me këmbë në tokë. Kam marrë vlerëime pozitive edhe nga legjenda të futbollit dhe kjo më bën të ndihem mirë, madje kam edhe emocione por më duhet të vazhdoj punën dhe të mos kënaqem me kaq. Jam i bindur se si unë, ashtu edhe skuadra në tërësi, ka mundësi të japë edhe më shumë”. Në fund, ka edhe një pyetje për kapitenin nëse është objektiv vendi i katërt në renditje për Vllazninë. Përgjigja e tij është në të njëjtën linjë me trajnerin Cungu prandaj thotë: “Duke parë diferencën që kemi me vendin e katërt, mendoj se është një objektiv për ne por gjithsesi, duhet të kthejmë kokën edhe prapa. Fillimisht që të mos rrezikojmë dhe kur të sigurojmë këtë gjë, kuptohet që do shohim përpara. Se ku do arrijmë, këtë do e tregojë më mirë fusha”.
© shkodrasport.com