Në Federatën Shqiptare të Futbollit ende mungon një përgjigje nga ana e Ministrisë së Shendetësisë dhe Sporteve në lidhje me shkresën e dërguar për të rifilluar njëherë stërvitjen e më pas kampionatin.

Në një intervistë për “Top Channel”, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku thekson se mungesën e një përgjigje e quan një mungesë dëshire dhe moskorrektësi. Shulku shprehet se nuk po kërkojnë asgjë jashtë normales pasi kërkojnë të zhvillojnë profesionin e tyre.

“I kemi dërguar letër Ministrisë së Shëndetësisë dhe Sporteve për t’u ulur në tavolinë dhe diskutuar për rikthimin e stërvitjeve fillimisht dhe më pas kampionateve. Nuk kemi marrë përgjigje. Këtë do ta quaja moskorrektësi dhe mungesë dëshire”.

Afat nga UEFA për të dhënë verdiktet? “Afati përfundimtar nga UEFA për të dhënë verdkitet është data tre gusht, do të na duhen dy muaj për të përmbyllur aktivitetin pasi janë për t’u luajtur 10 javë kampionat dhe pesë javë kupë”.

Plani për t’u mbyllur ekzisiton? “Dëgjova intervistën e Ministres dhe më vjen keq se mori shembull Francën, por janë 55 federata që nuk kanë marrë verdikte për mbyllje. Gjermania, apo edhe Mali i Zi kanë marrë vendim të rifillojnë. Të na lejojë të zhvillojmë profesionin tonë, nuk po i kërkojmë asgjë më shumë”, u shpreh Shulku. /VipSport/