Liga e Kampioneve nuk do të ketë fitues një mes Lionel Mesit, Kristiano Ronaldos, Kilian Mbapesë dhe Erling Halandit. Dy të parët, dominuesit e futbollit në dekadën e fundit, do të vlerësohen pa kriterin Champions kur të bëhen llogaritë për fituesin e “Topit të Artë”.

Ndërsa ata që pritet të nisin epokën e re të dominimit në futbollin europian, Kilië Mbape dhe Erling Haland e humbën shansin për të rritur kuotat e tyre këtë sezon.

Në tetë skuadrat çerekfinaliste të Ligë së Kampioneve nuk figuron PSG, Mançester Junajtidi dhe Borusia e Dortmundit.

SHANSI I TË TJERËVE – Robert Levandovski, Karim Benzema, Mohamed Salah, Kevin de Bryjne, Antuan Grizman janë disa nga emrat që do të mund të përfitojnë shumë pikë këtë sezon në rast se do të triumfojnë në Champions.

Sulmuesi i Bajernit të Mynihut është më i urituri dhe i zemëruari, duke parë se në dy sezonet e fundit është ndjerë edhe pak i vjedhur:

Pasi “France Football” vendosi ta anulojë dhënien e “Topit të Artë” në sezonin e ndërprerë prej pandemisë, këtë të vitit të fundit e fitoi jo pa surprizuar Lionel Mesi, pavarësisht se polaku fitoi tripletën me rekordmenët e Gjermanisë.

Por makineria e golave të Nagelsmanit nuk do të dorëzohet dhe hedh fort kandidaturën edhe për këtë sezon.

29 gola të shënuar në 26 ndeshjet e Bundesligës, por edhe 12 golat e tij deri tani në Champions (shënuesi më i mirë) plus 3 asiste, e bëjnë Levën kandidaturë shumë të fortë përballë rivalëve të tjerë.

32 gola në 34 ndeshje e bëjnë një rival konkurrues edhe Karim Benzemanë.

Nga Anglia janë kandidatura e Mohamed Salahut (28 gola dhe 10 asiste për Liverpulin), por edhe ajo e yllit të Sitit, Kevin de Bryjne, i cili ka frymëzuar “Qytetarët” me 10 gola dhe 8 asiste këtë sezon.